Miratohet plani i veprimit për arsimin e lartë 2030, kosto 11 mln euro
Qeveria synon modernizimin e universiteteve dhe lidhjen më të fortë me tregun e punës përmes një pakete të re masash.
Ministria e Arsimit ka miratuar Planin e Veprimit për Arsimin e Lartë 2030, një dokument strategjik që synon përmirësimin e cilësisë së universiteteve dhe përafrimin e tyre me nevojat e ekonomisë. Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, kostoja totale e planit arrin në rreth 11 milionë euro.
Plani e vendos arsimin e lartë në qendër të zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe ekonomik, duke synuar krijimin e një oferte akademike më bashkëkohore dhe më të orientuar drejt aftësive të së ardhmes.
Rishikim i ligjit dhe programeve mësimore
Një nga shtyllat kryesore të planit është përmirësimi i ofertës akademike. Ministria parashikon rishikimin e ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë” brenda dhjetorit 2026, si dhe rishikimin e programeve ekzistuese dhe krijimin e kurrikulave të reja në fusha si teknologjia, digjitalizimi dhe turizmi.
Po ashtu, brenda vitit 2026 pritet të rishikohet edhe formula e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke e lidhur më shumë me performancën dhe rezultatet.
Lidhje më e fortë me tregun e punës
Plani synon të ngushtojë hendekun mes universiteteve dhe tregut të punës përmes fuqizimit të zyrave të karrierës dhe rritjes së bashkëpunimit me sektorin privat. Praktikat profesionale dhe programet e intershipeve do të jenë një nga instrumentet kryesore për përgatitjen e studentëve.
Cilësi më e lartë në mësimdhënie dhe kërkim
Përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor është një tjetër prioritet. Dokumenti parashikon zgjerimin e bashkëpunimeve me universitete të huaja, programe të përbashkëta studimi dhe pjesëmarrje më aktive në iniciativa ndërkombëtare si Erasmus+ dhe Horizon.
Gjithashtu, deri në vitin 2028 planifikohet financimi i 60 doktoraturave, me një kosto të parashikuar prej rreth 180 mijë eurosh.
Koordinim institucional për zbatimin
Zbatimi i planit do të kërkojë bashkëpunimin e disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe vetë universitetet.
Autoritetet synojnë që përmes kësaj reforme të krijojnë një sistem universitar më konkurrues dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.