Secondary Adv

Euro dominon kreditë e bizneseve në mars, leku mbetet për individët

Kreditimi në Shqipëri po zhvendoset drejt euros për bizneset, ndërsa individët vijojnë të preferojnë lekun për të shmangur rreziqet e kursit të këmbimit.

Huadhënia në sistemin bankar shqiptar po shfaq një ndarje të qartë sipas monedhës dhe kategorisë së klientëve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në mars 2026 u disbursuan rreth 39.99 miliardë lekë kredi të reja, në rritje krahasuar me 36.2 miliardë lekë një vit më parë, duke reflektuar një zgjerim të aktivitetit kreditues.

 

Edhe pse kreditë në lekë vijojnë të mbajnë peshën kryesore, rritja e tyre ka qenë modeste. Në mars, huatë në monedhën vendase arritën në rreth 24 miliardë lekë, nga 23.3 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej vetëm 2.9%. Si rezultat, pesha e lekut në totalin e kredisë së re ka rënë në rreth 60%, nga mbi 64% që ishte një vit më parë.

 

Rritje e fortë e kredive në euro

Në të kundërt, kreditimi në euro ka shënuar një rritje të ndjeshme. Huaja e re në monedhën europiane arriti në rreth 15.97 miliardë lekë në mars, nga 12.55 miliardë lekë një vit më parë, duke u rritur me rreth 27.3%. Kjo ka bërë që pesha e euros në totalin e huasë së re të ngjitet pranë 40%, nga rreth 35% në mars 2025.

 

Kjo tendencë është nxitur kryesisht nga bizneset private, të cilat në mars morën më shumë kredi në euro sesa në lekë. Korporatat jofinanciare siguruan rreth 13.95 miliardë lekë kredi në euro, kundrejt 13.27 miliardë lekëve në monedhën vendase, duke reflektuar një orientim të qartë drejt valutës.

 

Pse bizneset zgjedhin euron

Preferenca për euron lidhet me disa faktorë, duke përfshirë faktin që shumë biznese gjenerojnë të ardhura në valutë dhe për këtë arsye minimizojnë rrezikun nga kursi i këmbimit. Njëkohësisht, normat e interesit për kreditë në euro janë zakonisht më të ulëta, duke e bërë këtë financim më të leverdishëm për investime dhe kapital qarkullues.

 

Individët qëndrojnë te leku

Ndryshe nga bizneset, individët vijojnë të mbeten të orientuar drejt lekut. Kredia në monedhën vendase dominoi edhe në mars, pasi qytetarët preferojnë të shmangin ekspozimin ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, sidomos pas eksperiencave të mëparshme me zhvlerësimin e euros.

 

Kjo sjellje reflekton një qasje më konservatore të familjeve, të cilat zgjedhin të marrin kredi në të njëjtën monedhë me të ardhurat e tyre, duke ulur rrezikun financiar në afatgjatë.

 

Treg i përqendruar mes lekut dhe euros

Në tërësi, struktura e kreditimit në Shqipëri mbetet e përqendruar mes lekut dhe euros, ndërsa kreditimi në dollarë është pothuajse i papërfillshëm dhe në rënie. Kjo konfirmon se sistemi bankar është i orientuar kryesisht drejt këtyre dy monedhave, me një rol gjithnjë e më të madh të euros në financimin e bizneseve.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat