Secondary Adv

Ruani autofaturat për kompensimin e TVSH, nga 1 korriku do të kërkohet edhe verifikim online

Skema e re e kompensimit kërkon konfirmim të dyfishtë të autofaturave për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar pagesat për fermerët.

Fermerët në Shqipëri duhet të ruajnë fizikisht autofaturat e lëshuara nga grumbulluesit dhe përpunuesit për produktet bujqësore që shesin, pasi këto dokumente janë thelbësore për përfitimin e kompensimit prej 10 për qind të TVSH-së. Administrata tatimore ka bërë të ditur se këto autofatura tashmë ruhen edhe në një databazë elektronike, e cila do të përdoret për verifikim online nga vetë fermerët.

 

Duke nisur nga 1 korriku 2026, fermerët jo vetëm që duhet të dorëzojnë kërkesën për kompensim, por edhe të konfirmojnë online përputhjen e autofaturave fizike me ato të regjistruara në sistem, një mekanizëm që synon të shmangë mashtrimet dhe transaksionet fiktive.

 

Aplikimi dy herë në vit dhe pagesa brenda 30 ditësh

Kompensimi do të aplikohet dy herë në vit, duke mbuluar periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor. Për gjashtëmujorin e parë, aplikimet nisin më 1 korrik 2026 dhe bëhen përmes portalit e-Albania. Pas dorëzimit të kërkesës dhe verifikimit të të dhënave, pagesa e kompensimit pritet të kryhet brenda 30 ditëve, ndërsa fermerët duhet të deklarojnë edhe llogarinë bankare ku do të kalojnë fondet.

 

Si llogaritet kompensimi

Sipas skemës, masa e kompensimit prej 10 për qind nuk llogaritet drejtpërdrejt mbi blerjet e inputeve bujqësore si plehra kimike, fara apo fidanë, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit për produktet që fermerët shesin. Kjo do të thotë se përfitimi lidhet drejtpërdrejt me formalizimin e shitjeve dhe dokumentimin e tyre korrekt.

 

Përfitues janë fermerët e pajisur me NIPT që nuk janë subjekt i TVSH-së, të cilët nuk aplikojnë TVSH në shitje dhe nuk kanë të drejtë zbritjeje për TVSH-në e paguar në blerje. Skema synon të kompensojë këtë kosto dhe të mbështesë aktivitetin bujqësor.

 

Shifra dhe përfitime nga skema

Në vend numërohen mbi 113 mijë fermerë të pajisur me NIPT, ndërsa për muajt e parë të vitit 2026 rreth 5,642 prej tyre janë pajisur me autofatura. Për vitin e parë të zbatimit, efekti financiar i skemës llogaritet në rreth 1.5 miliardë lekë, ose afërsisht 15 milionë euro, ndërsa vetëm për tremujorin e parë kompensimi arrin në rreth 400 milionë lekë.

 

Kontrolle për shmangien e abuzimeve

Administrata tatimore ka paralajmëruar nisjen e kontrolleve në gjithë zinxhirin e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore, pas shqetësimeve se në disa raste nuk lëshohen autofatura ose ato deklarohen me vlera të pasakta. Kontrollet do të fokusohen në verifikimin e aktivitetit real të subjekteve dhe identifikimin e NIPT-ve fiktive.

 

Autoritetet paralajmërojnë masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton detyrimin për lëshimin e autofaturave, duke theksuar se funksionimi i drejtë i skemës së kompensimit varet nga formalizimi i plotë i transaksioneve në sektorin bujqësor.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat