Secondary Adv

Integrimi në BE, Raporti i vitit 2025 për Shqipërinë: Theksohet nevoja për reforma më të thella

Parlamenti Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë, por kërkon rezultate konkrete në reforma, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës politike.

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian miratoi raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, duke i hapur rrugën shqyrtimit në seancën plenare. Dokumenti, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, u miratua me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, duke reflektuar një mbështetje të gjerë, por edhe kërkesa të qarta për përmirësime të mëtejshme.

 

Në raport theksohet se Shqipëria konsiderohet një nga vendet kryesuese në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por progresi duhet të shoqërohet me reforma më të thella dhe të qëndrueshme që reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Raportuesi Andreas Schieder nënvizoi se përveç çështjeve teknike, fokusi është vendosur edhe te dimensioni social dhe ndikimi real i reformave.

 

Objektivi 2027 i arritshëm, por me kushte

Sipas raportit, objektivi që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në vitin 2027 konsiderohet i mundur, por kërkon përparim të dukshëm në disa fusha kyçe. Një ndër sfidat kryesore mbetet polarizimi politik i brendshëm dhe nevoja për përmirësimin e kulturës politike, si element thelbësor për funksionimin e institucioneve demokratike.

 

Shqetësime për procesin zgjedhor

Dokumenti evidenton se një pjesë e rekomandimeve të OSBE për reformën zgjedhore nuk janë adresuar plotësisht. Përmenden shqetësime për mungesë barazie në garë, keqpërdorim të burimeve administrative, pretendime për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, duke kërkuar masa konkrete për përmirësimin e standardeve zgjedhore.

 

Drejtësia dhe korrupsioni mbeten sfida

Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut vlerësohen si hapa pozitivë, por raporti thekson se korrupsioni mbetet një problem serioz. Kërkohet forcimi i rezultateve konkrete në hetime dhe ndjekje penale, sidomos për rastet e korrupsionit në nivele të larta, si një kusht thelbësor për avancimin në procesin e integrimit.

 

Lufta kundër korrupsionit cilësohet si prioritet absolut, me theks të veçantë te ndëshkueshmëria dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë.

 

Fokus te reformat sociale dhe administrata

Raporti vendos theks edhe te reformat socio-ekonomike, duke kërkuar që përfitimet e procesit të integrimit të ndihen nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ndërkohë, progresi në reformën e administratës publike vlerësohet, por kërkohen përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë meritore dhe depolitizimin e shërbimit civil.

 

Në tërësi, dokumenti konfirmon rrugën pozitive të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, por nënvizon se suksesi i këtij procesi varet nga thellimi i reformave dhe zbatimi i tyre i qëndrueshëm në praktikë.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat