Turizmi, Tatimet gati planin, nga kontrollet në kohë reale, tek IA në fiskalizim dhe informaliteti
Administrata Tatimore synon formalizim të plotë të sektorit të turizmit deri në fund të vitit 2026, përmes kontrolleve të forta, analizës së të dhënave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Administrata Tatimore ka hartuar një plan të detajuar ndërhyrjeje për sektorin e turizmit gjatë vitit 2026, me synim rritjen e transparencës dhe uljen e informalitetit në një nga industritë më të rëndësishme për ekonominë e vendit. Sipas dokumentit të miratuar nga Komiteti i Riskut, turizmi ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe kontribuon ndjeshëm në PBB, por vijon të përballet me probleme në deklarimin e të ardhurave dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Plani parashikon një regjim të ri monitorimi intensiv, të mbështetur në të dhëna në kohë reale dhe integrim të platformave digjitale si Booking dhe Airbnb në analizat fiskale, me qëllim pasqyrimin më të saktë të aktivitetit ekonomik.
Kontrolle të shtuara dhe analiza risku
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është përdorimi i analizës së avancuar të riskut për identifikimin e bizneseve me sjellje të dyshimta. Subjektet që deklarojnë xhiro zero pavarësisht aktivitetit, apo që shfaqin rënie të pajustifikuar gjatë sezonit turistik, do të klasifikohen me risk të lartë dhe do t’i nënshtrohen auditimeve të menjëhershme.
Kontrollet në terren do të intensifikohen, përfshirë verifikime pa paralajmërim të punonjësve dhe krahasim të pagave reale me ato të deklaruara, për të goditur fenomenin e pagave minimale fiktive.
IA në fiskalizim dhe monitorim online
Një risi e rëndësishme është përdorimi i inteligjencës artificiale në analizimin e faturave fiskale. Sistemi do të identifikojë automatikisht nëse një faturë është e fiskalizuar, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe burimet e nevojshme për kontroll.
Paralelisht, do të monitorohen në kohë reale platformat online të akomodimit, duke krahasuar çmimet, kapacitetet dhe vlerësimet e klientëve me deklarimet fiskale të subjekteve. Kjo pritet të kufizojë hapësirat për mosdeklarim, veçanërisht në segmentin e qiradhënies afatshkurtër.
Fokus te TVSH dhe formalizimi i plotë
Administrata synon gjithashtu rritjen e të ardhurave nga TVSH, duke zgjeruar numrin e bizneseve që deklarojnë sipas normave përkatëse, 6% për akomodimin dhe 20% për shërbimet e bar-restoranteve. Qëllimi është të kapet më mirë aktiviteti real dhe të rritet baza e tatimpaguesve.
Në vëmendje do të jenë edhe strukturat e agroturizmit dhe turizmit malor, ku një pjesë e aktivitetit vijon të jetë jashtë skemave formale.
Masa të forta për shkelësit
Për subjektet që nuk përmbushin detyrimet, parashikohen masa të ashpra, përfshirë bllokimin e pajisjeve të faturimit dhe referimin e rasteve për hetim penal në rast evazioni. Në të njëjtën kohë, Tatimet do të ndjekin edhe një qasje informuese, përmes njoftimeve të personalizuara dhe fushatave ndërgjegjësuese për bizneset.
Objektivi final i planit është arritja e përputhjes së plotë mes faturave fiskale dhe xhiros së deklaruar deri në fund të vitit 2026, duke synuar një sektor turistik më transparent dhe më të formalizuar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)