Studentët shqiptarë po largohen për studime jashtë me ritmin më të lartë në rajon
Raporti i UNESCO-s tregon se Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor për numrin e studentëve që zgjedhin universitetet jashtë vendit.
Studentët shqiptarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt universiteteve jashtë vendit, me ritme më të shpejta se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të UNESCO-s për arsimin. Ky fenomen lidhet ngushtë me emigracionin, tkurrjen e popullsisë në moshë shkollore dhe kërkimin për mundësi më të mira akademike dhe profesionale.
Raporti thekson se përqindja e studentëve shqiptarë që ndjekin studimet jashtë është ndër më të lartat në rajon dhe kjo prirje është përshpejtuar vitet e fundit. Sipas analizës, numri i tyre është rritur më shpejt krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar një zhvendosje të fortë drejt arsimit ndërkombëtar.
Lidhja me emigracionin dhe demografinë
Ky zhvillim është i lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet demografike. Rënia e numrit të maturantëve në vend ka ecur paralelisht me rritjen e studentëve që zgjedhin të studiojnë jashtë, një tregues i ndikimit të emigracionit dhe plakjes së popullsisë. Në këtë kontekst, arsimi i lartë është kthyer në një nga arsyet kryesore që të rinjtë zgjedhin të largohen.
Raporti evidenton gjithashtu se orientimi drejt universiteteve, brenda apo jashtë vendit, ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes në arsim. Perspektiva për studime dhe karrierë ndërkombëtare ka bërë që më shumë të rinj të qëndrojnë në sistemin arsimor për periudha më të gjata.
Ndryshimi i profilit të emigracionit
Në dallim nga vitet ’90, kur emigrimi dominohej nga punëtorë të pakualifikuar për arsye ekonomike, sot po vihet re një ndryshim i qartë: gjithnjë e më shumë të rinj largohen për arsim dhe mundësi profesionale. Arsimi është shndërruar në një kanal kryesor migrimi, duke ndikuar në strukturën e kapitalit njerëzor të vendit.
Sipas raportit, rreth 50% e popullsisë shqiptare ka pasur një përvojë emigracioni që nga viti 1991, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të arsimuar në nivele të larta, çka tregon një lidhje të fortë mes migracionit dhe arsimit.
Zgjerimi i sistemit arsimor
Sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri ka pësuar transformime të rëndësishme pas përfshirjes në procesin e Bolonjës në vitin 2003. Kjo periudhë u shoqërua me një rritje të shpejtë të regjistrimeve dhe të mobilitetit studentor. Midis viteve 2003 dhe 2013, numri i studentëve u rrit mesatarisht me 13% në vit, ndërsa norma bruto e regjistrimit u rrit nga 16% në 64%, duke arritur në rreth 82% në vitin 2024.
Edhe sistemi parauniversitar është bërë më pak pengesë për vazhdimin e studimeve. Provimet kombëtare nuk përdoren si filtër për përzgjedhje dhe shumica dërrmuese e nxënësve i kalojnë ato, me rreth 95% kalueshmëri në provimin përfundimtar të arsimit të mesëm.