Secondary Adv

IOM: Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara nga emigracioni i moshave riprodhuese

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerëson se largimi i të rinjve në moshë riprodhuese po e shtyn Shqipërinë drejt një rënieje edhe më të fortë të popullsisë në vitet e ardhshme.

Emigracioni po thellon krizën demografike

Në raportin “World Migration Report 2026”, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) rendit Shqipërinë mes vendeve europiane ku emigracioni po ndikon drejtpërdrejt në uljen e popullsisë. Raporti thekson se largimi i personave në moshë riprodhuese, i kombinuar me normat e ulëta të lindshmërisë, po përshpejton tkurrjen demografike.

 

Shqipëria përmendet së bashku me Lituaninë, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën si vende ku fertiliteti ka rënë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë. Sipas raportit, emigracioni i të rinjve sjell edhe “humbjen” e lindjeve që do të ndodhnin nëse ata do të qëndronin në vend.

 

Europa po humbet popullsi

IOM vëren se Europa është kontinenti me numrin më të madh të vendeve që kanë shënuar rënie të popullsisë gjatë periudhës 2005–2024. Në disa shtete kjo lidhet me lindshmërinë e ulët, ndërsa në vende të tjera emigracioni mbetet faktor kryesor.

 

Raporti paralajmëron se gjatë tri dekadave të ardhshme disa vende europiane, si Moldavia, Bosnjë-Hercegovina dhe Lituania, mund të humbasin më shumë se 20% të popullsisë së tyre. Për shumë ekonomi europiane, imigracioni shihet si mënyra kryesore për të kompensuar plakjen dhe mungesën e lindjeve.

 

Shqiptarët po marrin shtetësi europiane

Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 48.2 mijë shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian. Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë të një shteti të BE-së.

 

Kjo shifër lidhet ngushtë edhe me tkurrjen e popullsisë në Shqipëri. Gjatë periudhës mes dy Censeve 2011–2023, popullsia e vendit ra me rreth 420 mijë banorë, kryesisht si rezultat i emigracionit dhe rënies së shtesës natyrore.

 

Të rinjtë dominojnë emigracionin

Sipas Eurostat, në vitin 2024 emigruan drejt vendeve të BE-së rreth 44 mijë shqiptarë, ku 62% e tyre ishin nën moshën 35 vjeç. Një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve i përkasin gjithashtu grupmoshës 35–49 vjeç, që përbënte rreth 20% të totalit. Të dhënat historike tregojnë se mosha e emigrimit është ulur gradualisht, ndërsa largimi i të rinjve po ndikon drejtpërdrejt në rënien e lindjeve në vend.

 

Lindjet në rënie të fortë

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, numri i lindjeve në Shqipëri ra me 35%, ndërsa numri i grave në grupmoshën 20–34 vjeç u tkurr me 32%, sipas të dhënave të INSTAT.

Në shumë qarqe të vendit, numri i grave në moshë riprodhuese është përgjysmuar gjatë dekadës së fundit. Popullsia e re po zvogëlohet me ritme shumë më të shpejta sesa popullsia e përgjithshme, duke paralajmëruar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës demografike.

 

Vetëm gjatë vitit të kaluar lindën 21,425 fëmijë në të gjithë vendin, rreth 8% më pak se një vit më parë. Krahasuar me fillimin e viteve ’90, kur në Shqipëri regjistroheshin mbi 70 mijë lindje në vit, niveli aktual është më shumë se trefish më i ulët.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat