TIA: Fluturimet vijojnë normalisht, aeroporti nuk ndikohet nga kriza e karburantit
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka garantuar se operimet ajrore vijojnë normalisht dhe nuk janë ndikuar nga kriza globale e furnizimit me karburant për avionë.
Furnizimi me karburant i garantuar
Sipas njoftimit zyrtar, partneri i furnizimit me karburant për avionë, Air BP, ka konfirmuar se rezervat për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë të mjaftueshme dhe situata paraqitet e qëndrueshme. Autoritetet aeroportuale theksojnë se të gjitha nisjet dhe mbërritjet po zhvillohen sipas planifikimit dhe se nuk ka asnjë ndërprerje në operimin e linjave ajrore.
TIA: Prioritet mbetet siguria dhe besueshmëria
Në një reagim në rrjetet sociale, aeroporti bëri të ditur se shërbimi për të gjitha kompanitë ajrore vazhdon pa probleme.
“Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht. Të gjitha operimet po zhvillohen sipas planifikimit, ndërsa furnizimi me karburant garanton vazhdimësi të plotë dhe të sigurt të shërbimit për të gjitha linjat ajrore. Prioriteti ynë mbetet gjithmonë siguria dhe një eksperiencë e besueshme për çdo pasagjer”, thuhet në njoftim.
Europa përballet me rrezik mungesash
Situata vjen në një kohë kur disa kompani ajrore europiane kanë paralajmëruar mungesa të mundshme të karburantit duke nisur nga mesi i muajit maj. Sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit për shkak të konfliktit në Iran po ndikon në importin e rreth një të tretës së karburantit të avionëve që përdoret në Europë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve ndërkombëtare, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës deklaron se operimet në Shqipëri mbeten të sigurta dhe pa ndikime nga kriza aktuale.