Bie qeveria në Rumani, kryeministri Ilie Bolojan nuk i mbijeton mocionit të mosbesimit
Qeveria pro Bashkimit Europian në Rumani është rrëzuar pas miratimit të një mocioni mosbesimi në parlament, duke futur vendin në një fazë të re pasigurie politike.
281 deputetë votuan pro rrëzimit të qeverisë
Kryeministri rumun Ilie Bolojan nuk arriti t’i mbijetojë mocionit të mosbesimit të zhvilluar këtë të mërkurë në parlament. Pas debatit parlamentar, 281 deputetë votuan pro mocionit, ndërsa vetëm katër votuan kundër.
Nisma për rrëzimin e qeverisë u ndërmor nga Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ishte larguar nga koalicioni qeverisës në fund të muajit prill. PSD bashkoi votat me partinë opozitare të djathtë ekstreme Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR).
Partitë e koalicionit bojkotuan votimin
Deputetët e Partisë Liberale Kombëtare (PNL) të drejtuar nga Bolojan, së bashku me aleatët e koalicionit Bashkimi Shpëtoni Rumaninë dhe partia e minoritetit hungarez UDMR, nuk morën pjesë në votim.
Edhe pse zgjedhjet e parakohshme konsiderohen pak të mundshme në këtë fazë, zhvillimet politike kanë shkaktuar shqetësim në tregjet financiare. Investitorët druhen se paqëndrueshmëria politike mund të ndikojë negativisht në angazhimin e Bukureshtit për të ulur deficitin buxhetor, aktualisht më i larti në Bashkimin Europian.
Përplasjet për masat shtrënguese sollën krizën
Qeveria e rrëzuar kishte ardhur në pushtet rreth 10 muaj më parë, me synimin për të frenuar rritjen e së djathtës ekstreme pas zgjedhjeve të tensionuara dhe polarizuese në vend. Ekzekutivi kishte nisur të ulte deficitin buxhetor dhe kishte shmangur me vështirësi një ulje të vlerësimit kreditor të Rumanisë. Megjithatë, përplasjet mes PSD-së dhe kryeministrit Bolojan për masat shtrënguese ekonomike u thelluan në muajt e fundit.
Socialdemokratët argumentuan se masat ekonomike prekën drejtpërdrejt bazën e tyre elektorale dhe rrjetet e mbështetjes, ndërsa në të njëjtën kohë rritën mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë.