Secondary Adv

Shembje e re në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, dëmtohet sërish loti i dytë pranë Kthesës së Trebinjës

Rruga Qukës-Qafë Plloçë ka pësuar një tjetër dëmtim serioz në lotin e dytë të saj, ndërsa qarkullimi i mjeteve po kryhet vetëm në një korsi pranë zonës së njohur si Kthesa e Trebinjës.

Ulje të shtratit të rrugës pranë Trebinjës

Dëmtimi i fundit është konstatuar në afërsi të Kthesës së Trebinjës, ku janë evidentuar ulje të niveleve në shtratin e rrugës. Pamjet nga aksi tregojnë se kompania e mirëmbajtjes ka nisur ndërhyrjet për stabilizimin dhe riparimin e segmentit të dëmtuar.

 

Vetëm rreth 500 metra larg kësaj zone, një tjetër pjesë e rrugës kishte pësuar zhytje që në muajin janar, për shkak të rrëshqitjes së strukturës së rrugës. Edhe ai segment ende nuk është rikthyer plotësisht në normalitet dhe situata atje paraqitet e përkeqësuar.

 

Qarkullimi vijon vetëm në një korsi

Për shkak të dëmtimeve, lëvizja e automjeteve në këtë pjesë të aksit po realizohet vetëm në njërën korsi, ndërsa drejtuesit e mjeteve po përballen me vështirësi dhe rrezik të shtuar gjatë kalimit.

 

Problemet në këtë rrugë janë shfaqur vazhdimisht që prej inaugurimit të saj, duke ngritur shqetësime për cilësinë e punimeve dhe stabilitetin e infrastrukturës në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

 

Rruga kushtoi 260 milionë euro

Rruga Qukës–Qafë Plloçë është një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend, me një kosto totale prej rreth 260 milionë eurosh. Projekti u nda në tre lote nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

 

Loti i dytë, ku janë shfaqur dëmtimet e fundit, është ndërtuar nga kompania “ALB-BUILDING”, me aksionerë Odhise Breshen dhe Pëllumb Beten. Edhe loti i parë, i ndërtuar nga kompania “2T” e vëllezërve Sako, ka rezultuar problematik gjatë viteve të fundit.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat