Policia Rrugore me masa të reja: Rriten kontrollet për shpejtësinë dhe drejtim e rrezikshëm
Policia e Shtetit ka njoftuar masa të reja për monitorimin e qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e shkeljeve që lidhen me aksidentet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë.
22 radarë të kalibruar dhe pajisje të reja monitorimi
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, deklaroi se Policia Rrugore ka shtuar kapacitetet monitoruese në të gjithë vendin.
Sipas tij, janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse dhe strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues për evidentimin në kohë reale të shkeljeve.
Patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa shkak
Ziu bëri të ditur se në akset kombëtare patrullat nuk do të ndalojnë automjete pa arsye konkrete, por monitorimi do të kryhet përmes pajisjeve teknologjike dhe patrullave të lëvizshme.
Shkeljet e konstatuara do të dokumentohen elektronikisht dhe do të pasqyrohen në sistemin e-Albania. Ndërhyrja fizike e patrullave do të ndodhë vetëm në rastet kur konstatohet sjellje agresive në rrugë, si shpejtësi e lartë, parakalime të rrezikshme apo manovra të gabuara.
Kontrolle të shtuara në qytete
Në zonat urbane kontrollet do të fokusohen te drejtimi nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e rripit të sigurimit, parakalimet e gabuara dhe parkimet e paligjshme.
Sipas analizës së katërmujorit të parë të vitit 2026, janë arrestuar 1009 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Po ashtu, janë vendosur:
• 82 100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë; • 27 000 masa për parakalime të gabuara; • rreth 60 000 masa për përdorim telefoni dhe mosvendosje të rripit të sigurimit; • 160 000 masa për parkime të gabuara.
Policia: Shpejtësia mbetet shkaku kryesor i aksidenteve fatale
Policia Rrugore thekson se tejkalimi i shpejtësisë vijon të jetë shkaku kryesor i aksidenteve me pasoja fatale në vend. Sipas të dhënave, një pjesë e konsiderueshme e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.
Në përfundim, Policia apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit dhe paralajmëroi ndëshkime maksimale për çdo sjellje të rrezikshme në rrugë.