Secondary Adv

Tatimet arkëtojnë 408 mln euro në prill, të ardhurat tejkalojnë planin me 12 mln euro

Administrata Tatimore ka shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave gjatë muajit prill 2026, duke tejkaluar planin dhe duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe formalizimin në ekonomi.

Të ardhurat u rritën me 1.2 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Administrata Tatimore, gjatë muajit prill janë mbledhur 40.8 miliardë lekë, ose rreth 408 milionë euro të ardhura tatimore. Kjo përfaqëson një rritje prej 3.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në vlerë absolute, të ardhurat janë rritur me rreth 1.2 miliardë lekë krahasuar me prillin e një viti më parë.

 

Po ashtu, të ardhurat kanë tejkaluar planifikimin mujor me rreth 2.8 miliardë lekë, ose afërsisht 12 milionë euro.

 

TVSH, tatimi mbi fitimin dhe pagat ndikuan në rritje

Performanca pozitive është mbështetur kryesisht nga të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat kombëtare.

 

Sipas administratës tatimore, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e arkëtimeve lidhen me zgjerimin e aktivitetit ekonomik, rritjen e konsumit dhe formalizimin më të madh të ekonomisë. Ndikim të rëndësishëm ka dhënë edhe rritja e pagave në sektorin publik dhe privat, si dhe masat kundër informalitetit dhe nëndeklarimit të pagave.

 

Efekt edhe nga DIVA dhe paga minimale

Administrata Tatimore vlerëson se kontribut në rritjen e të ardhurave kanë dhënë edhe fushata për faturimin elektronik dhe kontrollet në terren, të cilat kanë ndikuar në formalizimin e transaksioneve.

 

Gjithashtu, ndikim pozitiv ka pasur edhe procesi i dorëzimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA 2025), pasi qytetarët me detyrime tatimore kanë kryer pagesat përkatëse. Në rritjen e të ardhurave kanë ndikuar edhe fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë që prej 1 janarit 2026.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat