Secondary Adv

Eurostat: 44.5 për qind e familjeve me fëmijë në Shqipëri në rrezik varfërie

Shqipëria vijon të ketë nivelin më të lartë të rrezikut të varfërisë për familjet me fëmijë në Europë, me tregues pothuajse dy herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Gati gjysma e familjeve me fëmijë përballen me vështirësi ekonomike

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, 44.5 për qind e familjeve me fëmijë në varësi në Shqipëri janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Kjo do të thotë se këto familje ose kanë të ardhura nën 60 për qind të medianës kombëtare, ose përballen me privim të rëndë material dhe social, ose jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune.

 

Për familjet pa fëmijë, niveli i rrezikut të varfërisë në Shqipëri është 37 për qind, sërish shumë mbi mesataren europiane prej 19.8 për qind.

 

Shqipëria mbi rajonin dhe mesataren e BE-së

Mesatarja e Bashkimit Europian për familjet me fëmijë është 22.1 për qind, gati dy herë më e ulët se niveli i Shqipërisë.

 

Në rajon, Mali i Zi renditet i dyti në Europë pas Shqipërisë, me 34.8 për qind të familjeve me fëmijë në rrezik varfërie. Në Serbi ky tregues është 21.4 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut arrin në 29 për qind. Për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën mungojnë të dhënat zyrtare në raportin e Eurostat.

 

Çfarë mat treguesi AROPE

Eurostat përdor treguesin AROPE për të matur rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social. Një person konsiderohet në rrezik varfërie nëse të ardhurat e tij janë nën 60 për qind të të ardhurave mediane kombëtare pas transfertave sociale.

 

Raporti përfshin gjithashtu familjet që përballen me privim të rëndë material dhe social, pra ata që nuk arrijnë të përballojnë shpenzime bazë si faturat, ushqimin, pushimet, shpenzimet e papritura apo aksesin në internet. Në këtë kategori hyjnë edhe familjet me intensitet shumë të ulët pune, ku anëtarët në moshë pune kanë punuar 20 për qind ose më pak të potencialit të tyre gjatë vitit.

 

Spanja dhe Rumania me nivelet më të larta në BE

Në Bashkimin Europian, normat më të larta të rrezikut të varfërisë për familjet me fëmijë janë regjistruar në Spanjë me 29.9 për qind, Rumani me 29.4 për qind dhe Bullgari me 29.1 për qind. Nivelet më të ulëta janë regjistruar në Slloveni, Holandë dhe Qipro.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat