Secondary Adv

Lufta dhe kriza e karburanteve prek makinat, bien regjistrimet në prill, edhe ato elektrike

Pas një fillimi rekord të vitit, tregu i automjeteve në Shqipëri pësoi tkurrje në prill, i ndikuar nga kostot e transportit dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

Regjistrimet për herë të parë të automjeteve në Shqipëri kanë shënuar rënie gjatë muajit prill, duke ndalur ritmin e fortë të rritjes që ishte regjistruar në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, gjatë prillit u regjistruan 8,707 automjete, me një tkurrje prej 2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

 

Pavarësisht rënies mujore, për periudhën janar-prill numri total i mjeteve të regjistruara për herë të parë arriti në rreth 30.8 mijë, ose 5.2% më shumë se një vit më parë, i ndikuar nga performanca shumë e fortë e tre muajve të parë të vitit.

 

Tensionet në Hormuz rrisin kostot

Sipas operatorëve të tregut, frenimi i prillit lidhet kryesisht me krizën në Ngushticën e Hormuzit, që ka ndikuar drejtpërdrejt në transportin ndërkombëtar të mjeteve. Shqipëria po importon gjithnjë e më shumë makina nga Koreja e Jugut dhe Kina, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit nga këto dy vende kanë hyrë rreth 13 mijë automjete, ose 42% e totalit.

 

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, anijet që transportojnë mjetet po shmangin kalimin nga Hormuzi dhe po përdorin itinerare alternative më të gjata dhe më të kushtueshme. Kjo ka rritur kostot e transportit deri në 30%, duke reflektuar çmime më të larta për konsumatorët dhe kohë më të gjatë dorëzimi.

 

Ngadalësohen edhe makinat elektrike

Efektet e krizës janë ndjerë edhe në tregun e automjeteve elektrike. Pas rekordit historik prej 1,252 regjistrimesh në mars, numri i mjeteve elektrike të regjistruara në prill zbriti në 1,191. Megjithatë, interesi për to mbetet i lartë, sidomos për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të karburanteve, me naftën që ka kaluar nivelin e 200 lekëve për litër.

 

Në katër muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 4.1 mijë automjete plotësisht elektrike, ose 13.5% e totalit të mjeteve të reja. Dominimin në këtë segment po e merr marka kineze BYD, me 2,830 mjete të regjistruara vetëm gjatë kësaj periudhe. Në treg po shtohen edhe marka të tjera kineze si FANG CHENG BAO dhe WULING.

 

Nafta mbetet zgjedhja kryesore

Pavarësisht rritjes së interesit për automjetet elektrike, makinat me naftë vazhdojnë të dominojnë tregun shqiptar. Rreth 53% e mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë muajve të parë të vitit përdorin naftë, ose afërsisht 16.3 mijë automjete.

 

Numri total i mjeteve që qarkullojnë në Shqipëri ka arritur në rreth 1.08 milionë deri në fund të prillit, ku 80.7% janë autovetura. Marka më e përhapur mbetet MERCEDES BENZ me 17.9% të totalit, e ndjekur nga VOLKSWAGEN dhe FORD.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat