Secondary Adv

BSH mban normën bazë në 2.5 për qind, Sejko: Rritja e inflacionit do të jetë e lehtë dhe kalimtare

Banka e Shqipërisë vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit, ndërsa paralajmëron se efektet e krizës së energjisë dhe naftës pritet të jenë të lehta dhe kalimtare.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare mbetet në një pozicion relativisht të qëndrueshëm, ndërsa rritja e inflacionit e shkaktuar nga shtrenjtimi i energjisë dhe naftës pritet të jetë e përkohshme.

 

Sipas Sejkos, skenari bazë i Bankës së Shqipërisë mbështetet në supozimin se konflikti në Lindjen e Mesme do të ketë një zgjidhje relativisht të shpejtë. Në këtë kuadër, rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të sjellë vetëm një rritje të lehtë të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si edhe një ngadalësim margjinal të ekonomisë.

 

Inflacioni pritet të rikthehet gradualisht në objektiv

Guvernatori theksoi se goditja aktuale e çmimeve nuk pritet të lërë pasoja afatgjata në ekonominë shqiptare. Sipas tij, pas përfundimit të efekteve direkte të krizës dhe kontrollit të ndikimeve të tërthorta, inflacioni do të rikthehet gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë.

 

“Pozicioni i shëndoshë fillestar i ekonomisë shqiptare sugjeron se goditja e çmimeve do të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim, por kjo rritje pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare”, deklaroi Sejko.

 

Megjithatë, ai paralajmëroi se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim i rëndësishëm pasigurie për ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Sipas tij, kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit do të përcaktojnë ndikimin real mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike.

 

Nafta dhe qiratë shtynë inflacionin

Inflacioni mesatar në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 2.5%, me një rritje të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës. Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të qirave dhe naftës, si edhe nga stabilizimi i çmimit të energjisë elektrike për familjet.

 

Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve dhe artikujve të tjerë të shportës kanë pasur një ecuri më të qëndrueshme. Sipas Sejkos, inflacioni i importuar ka mbetur relativisht i ulët falë forcimit të kursit të këmbimit, megjithatë shtrenjtimi i naftës pritet të sjellë rritje të mëtejshme të presioneve inflacioniste në muajt në vijim.

 

Papunësia në nivel historik minimal

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare vazhdon të ruajë ritme pozitive rritjeje. Rritja e kërkesës për mallra dhe shërbime është reflektuar në rritje të punësimit dhe pagave në sektorin privat jobujqësor.

 

Norma e papunësisë ka zbritur në 8.3%, niveli më i ulët historik në periudhën post-tranzicion. Sipas Sejkos, megjithëse pagat janë rritur me ritme të shpejta, kjo nuk është reflektuar në rritje të fortë të çmimeve, pasi një pjesë e kostove është absorbuar nga rritja e produktivitetit dhe ulja e marzheve të fitimit të bizneseve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat