Paketa e Maleve, miratohen zonat për zhvillim në Pogradec, Delvinë dhe Konispol
Qeveria ka shpallur zona të reja me prioritet zhvillimi ekonomik, turistik dhe industrial në kuadër të zbatimit të “Paketës së Maleve”.
Qeveria ka miratuar tre vendime të reja për shpalljen e zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Vendimet janë pjesë e zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”, që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave me potencial të pashfrytëzuar.
Në Bashkinë Delvinë janë shpallur dy zona kryesore zhvillimi. Zona e parë përfshin fshatrat Bamatat, Vllahat, Rusan, Lefterhor, Kakodhiq, Sopot, Stjar, Vanë dhe Blerimas, me një sipërfaqe prej 5 733 hektarësh. Zona e dytë përfshin Vërgon, Tatzatin, Kalasën, Fushë-Vërrin, Senicën, Kopaçezën, Qafëdardhën dhe Bajkajn, me një sipërfaqe prej 15 743 hektarësh.
Tri zona të reja në Konispol
Edhe Bashkia Konispol ka përfituar zgjerim të zonave prioritare. Zona e parë përfshin qytetin Konispol dhe fshatrat Çiflik dhe Shalës, me një sipërfaqe prej 4 829 hektarësh. Zona e dytë përfshin Markatin, Ninatin, Janjarin, Dishatin dhe Vërvën, me sipërfaqe 3 981 hektarë, ndërsa zona e tretë përfshin Xarrën dhe Mursinë, me 1 264 hektarë.
Qeveria synon që këto territore të përdoren për zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe punësim në jug të vendit.
Pogradeci me numrin më të madh të zonave
Bashkia Pogradec rezulton me numrin më të madh të zonave të shpallura, gjithsej 10 territore të ndara në disa njësi administrative. Zona më e madhe përfshin fshatrat Golik, Zalltore, Slatinë, Selcë e Poshtme, Proptisht, Slabinjë, Velçan, Udenisht dhe zona të tjera përreth, me një sipërfaqe prej 3 421 hektarësh.
Zona të tjera janë shpallur në Çërravë, Dardhas, Buçimas, Velçan dhe Trebinjë, me sipërfaqe që variojnë nga 23 hektarë deri në mbi 1 900 hektarë. Mes tyre përfshihen edhe territore si Grunjas, Prenisht, Lekas dhe Osnat, si dhe zona më të vogla si Lin, Buqez, Peshkëpi dhe Lumas.
Synimi, zhvillim ekonomik dhe investime
Sipas vendimeve të miratuara, kufijtë e këtyre zonave do të përcaktohen në hartat zyrtare sipas sistemit KRGJSH. Aktivitetet e lejuara në këto territore do të fokusohen në zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik.
Për zbatimin e vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse. Vendimet do të hyjnë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Këto shpallje konsiderohen pjesë e strategjisë së qeverisë për të nxitur zhvillimin e zonave malore dhe për të tërhequr investime në territore që deri më tani kanë mbetur jashtë vëmendjes ekonomike.