Secondary Adv

Qeveria ndryshon formulën e kostove të disbalancave për energjinë e rinovueshme

Qeveria ka miratuar ndryshime të reja për mënyrën e shpërndarjes së kostove të disbalancave në tregun energjetik, duke prekur drejtpërdrejt prodhuesit e energjisë së rinovueshme dhe operatorët publikë.

Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin nr.398 të vitit 2022 “Për trajtimin e disbalancave të shkaktuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike”, i cili ishte miratuar fillimisht gjatë krizës energjetike në Europë. Ndryshimet e reja synojnë të përcaktojnë më qartë mënyrën e ndarjes së kostove të balancimit në tregun e energjisë elektrike, në një kohë kur prodhimi nga burimet e rinovueshme po zgjerohet me ritme të shpejta.

 

Sipas vendimit të ri, Operatori i Energjisë së Rinovueshme (OER), në cilësinë e liderit të grupit të balancimit, do të ndajë kostot totale mujore të balancimit tek prodhuesit me përparësi në bazë të energjisë së prodhuar nga secili prej tyre.

 

“Në rolin e tij si lider i grupit të balancimit, OER-ja do të alokojë te prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike kostot totale mujore të balancimit në përpjesëtim me prodhimin e matur të energjisë”, thuhet në vendim.

 

Zgjerohen rregullat edhe për subjektet e tjera në grupin e balancimit

Vendimi i ri parashikon që në rastet kur grupi i balancimit përfshin edhe palë të tjera përgjegjëse balancuese, përveç prodhuesve me përparësi, kostot mujore të ndahen mes të gjithë pjesëmarrësve.

 

“Në rast se grupi i balancimit ka në përbërje dhe palë të tjera përgjegjëse balancuese, të ndryshme nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, atëherë lideri i grupit të balancimit do të alokojë te të gjithë pjesëmarrësit e grupit kostot totale mujore të balancimit”, përcaktohet në tekstin e vendimit.

 

Një tjetër element i ri është përfshirja e konceptit të “vlerës neto” (VN), e cila lidhet me netimin e disbalancave pozitive dhe negative në sistem.

Sipas formulës së re, “VN” përkufizohet si vlera që rezulton nga netimi i sasisë së disbalancave pozitive dhe negative për liderin e grupit të balancimit, shumëzuar me çmimin për njësi të kontratës së energjisë elektrike mes prodhuesit publik dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal.

 

Vendimi saktëson gjithashtu se kjo vlerë neto do të reflektohet në pagesën totale të anëtarit të grupit të balancimit që ofron shërbimin universal të furnizimit.

 

Rritja e energjisë fotovoltaike shton presionin për balancim

Disbalancat krijohen kur energjia e prodhuar rezulton më e lartë ose më e ulët nga ajo e parashikuar, duke krijuar kosto shtesë për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së sistemit energjetik.

 

Ndryshimet vijnë në një moment kur tregu shqiptar po sheh rritje të vazhdueshme të prodhimit nga burimet e rinovueshme, veçanërisht nga centralet fotovoltaike, duke shtuar nevojën për menaxhim më efikas të balancimit në sistem.

 

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, OST, FSHU, Furnizuesi i Tregut të Lirë, OSSH dhe Operatori i Energjisë së Rinovueshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat