Secondary Adv

Ari në portofolin e rezervave për herë të parë në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës ka përfshirë për herë të parë arin në portofolin e rezervave shtetërore, duke synuar forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe diversifikimin e aseteve.

Për herë të parë në historinë e saj financiare, Kosova ka përfshirë arin në rezervat shtetërore. Lajmi është bërë i ditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila e cilësoi këtë lëvizje si një hap të rëndësishëm në modernizimin e menaxhimit të rezervave financiare të vendit.

 

Sipas BQK-së, përfshirja e arit në portofolin e rezervave përfaqëson një arritje institucionale dhe një avancim të strategjisë së menaxhimit të aseteve shtetërore.

 

“Përfshirja e arit për herë të parë në portofolin e rezervave përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Synohet diversifikim dhe stabilitet afatgjatë

Banka Qendrore thekson se ky hap synon të rrisë diversifikimin dhe qëndrueshmërinë e rezervave shtetërore, duke e afruar Kosovën me praktikat e bankave qendrore ndërkombëtare.

 

“Përfshirja e arit forcon më tej diversifikimin, qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të portofolit rezervë”, bëri të ditur institucioni.

 

Sipas BQK-së, ari konsiderohet tradicionalisht një instrument i rëndësishëm për ruajtjen e vlerës dhe mbrojtjen nga paqëndrueshmëria financiare në afat të gjatë.

 

Mbështetje nga FMN, Banka Botërore dhe partnerë ndërkombëtarë

Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se gjatë viteve të fundit ka zhvilluar reforma të rëndësishme në administrimin e aseteve dhe menaxhimin e rrezikut, me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare si Thesari i SHBA-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

 

Në këtë proces ka pasur rol të rëndësishëm edhe Programi i Partneritetit për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave të Bankës Botërore (RAMP).

 

“Ky bashkëpunim ka mbështetur forcimin e kornizës së politikave investuese të BQK-së, rregulloreve mbështetëse, kapaciteteve institucionale, si dhe funksioneve të menaxhimit të rrezikut, monitorimit dhe analizës”, thuhet në deklaratë.

 

BQK ka bërë të ditur gjithashtu se ka zgjeruar bashkëpunimin me institucione të Eurosistemit dhe banka ndërkombëtare komerciale, si dhe me platformën globale Clearstream për menaxhimin e kolateralit dhe kujdestarisë së aseteve.

 

Hapi i parë i një strategjie afatgjatë

Sipas Bankës Qendrore, përfshirja e arit në rezervat shtetërore përbën vetëm fazën fillestare të një procesi më të gjerë strategjik për alokimin e rezervave në të ardhmen.

 

Institucioni vlerëson se këto zhvillime do të rrisin kapacitetin operacional dhe strategjik të Kosovës për menaxhimin e rezervave financiare në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat