Karakaçi: Shqipëria jo e rrezikuar nga mungesa e karburanteve, forcojmë rezervat e naftës
Ministri Enea Karakaçi deklaroi se Shqipëria nuk rrezikon mungesë karburantesh, ndërsa qeveria po përgatit një model të ri për rezervat shtetërore të naftës.
Gjatë një interpelance në Kuvend, ministri Enea Karakaçi tha se siguria energjetike mbetet një prioritet strategjik për qeverinë shqiptare, sidomos në kushtet e tensioneve ndërkombëtare dhe paqëndrueshmërisë në tregjet globale të energjisë.
“Për qeverinë shqiptare, siguria energjetike është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e sigurisë kombëtare. Masat e marra janë shumëplanëshe dhe është ngritur Bordi i Transparencës që mbron konsumatorin final”, deklaroi Karakaçi.
Rezervat e hidrokarbureve kalojnë nën menaxhim shtetëror
Ministri bëri të ditur se qeveria po përgatit një kuadër të ri ligjor, i cili parashikon që rezervat e sigurisë së hidrokarbureve të mos menaxhohen më nga kompanitë tregtare, por nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, është ngritur një grup pune që po kryen verifikime në terren për rezervat e kompanive që operojnë në tregun e hidrokarbureve, në përputhje me legjislacionin aktual.
“Është ngritur grupi i punës që ka për detyrë të kryejë verifikimin në terren për të gjitha kompanitë. Rezerva e hidrokarbureve nuk bëhet më nga shoqëritë tregtare, por nga agjencitë shtetërore. Rezervat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, u shpreh ministri.
Karakaçi shtoi se tashmë është publikuar edhe drafti i planit afatgjatë për rezervat e hidrokarbureve, i konsultuar me Bashkimin Europian.
“Është një draft i konsultuar dhe i dakordësuar me BE që vendos një standard të ri për Shqipërinë, sepse rezerva menaxhohet nga agjencitë shtetërore. Rezervat përdoren kur ka mungesa në treg”, tha ai.
Qeveria: Nuk ka probleme në furnizim
Ministri garantoi se deri tani nuk ka pasur pengesa në furnizimin me karburante dhe se Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj rrezikut të mungesës së hidrokarbureve.
“Qeveria siguron se nuk ka pasur pengesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut”, deklaroi Karakaçi.
Ai hodhi poshtë edhe akuzat për mungesë transparence në menaxhimin e situatës, duke i cilësuar ato si pretendime politike.
“Sa i përket akuzës për mungesë transparence, është politike dhe s’i përgjigjet realitetit sepse jemi ulur me të gjitha grupet e interesit dhe kemi diskutuar për situatën”, shtoi ministri.
Plani për transportin publik hyn në fuqi javën e ardhshme
Karakaçi njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme pritet të hyjë në fuqi plani i masave për transportin publik urban dhe interurban, pas përfundimit të konsultimeve me grupet e interesit.