Secondary Adv

Prilli thyen rekorde në TIA, rritje me 25.4 për qind e pasagjerëve dhe fluturimeve

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi rritje rekord të trafikut gjatë prillit 2026, me mbi 1.13 milionë pasagjerë dhe afro 7 mijë lëvizje avionësh.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) vijon të konsolidojë pozicionin si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në Europë dhe nyja kryesore ajrore në Ballkanin Perëndimor.

 

Sipas të dhënave të siguruara nga Ekofin.al, gjatë katër muajve të parë të vitit 2026 aeroporti ka përpunuar rreth 3.3 milionë pasagjerë, me një rritje prej 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Në të njëjtën kohë është zgjeruar edhe trafiku ajror. Në periudhën janar-prill janë regjistruar rreth 19.5 mijë lëvizje avionësh, ose 5.4% më shumë krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2025.

 

Prilli, muaji më i fortë në historinë e aeroportit

Muaji prill 2026 rezultoi periudha më e fortë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit në historinë e TIA-s.

Vetëm gjatë muajit prill aeroporti përpunoi rreth 1.13 milionë pasagjerë, duke regjistruar një rritje rekord prej 25.4% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

 

Edhe lëvizjet e avionëve u rritën ndjeshëm. Numri i fluturimeve arriti në afro 7 mijë, me një zgjerim prej 26.8% në raport me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Sipas të dhënave të aeroportit, në ditët me fluks maksimal janë regjistruar deri në 43 mijë pasagjerë dhe rreth 250 lëvizje avionësh brenda një dite të vetme.

 

TIA synon 13.3 milionë pasagjerë në 2026

Performanca e muajve të parë të vitit po mbështet objektivin ambicioz të aeroportit për të arritur rreth 13.3 milionë pasagjerë deri në fund të vitit 2026.

 

Nëse ky objektiv realizohet, TIA do të forcojë më tej pozicionin si qendra kryesore ajrore e Ballkanit Perëndimor dhe synon të hyjë në Top 50 aeroportet më të ngarkuara të Europës.

 

Në vitin 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u rendit në vendin e 51-të në Europë për numrin e pasagjerëve.

 

Zgjerohen kapacitetet operacionale

Rritja e fortë e trafikut po mbështetet edhe nga investimet e Grupit Kastrati për zgjerimin e kapaciteteve operacionale të aeroportit.

Aktualisht po shtohen sportelet e check-in, korsitë e kontrollit të sigurisë, portat e imbarkimit dhe vendqëndrimet për avionët, në prag të sezonit veror që pritet të sjellë një tjetër valë rekord turistësh dhe fluturimesh.

 

Krahasuar me periudhën para pandemisë, rritja është edhe më e fortë. Sipas të dhënave të TIA-s, prilli 2026 regjistroi 267% më shumë pasagjerë dhe 220% më shumë lëvizje avionësh krahasuar me muajin më të ngarkuar të vitit 2019, që ishte gushti.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat