Secondary Adv

Kuvendi në seancë maratonë, miratohet akti normativ për uljen e akcizës

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë maratonë që zgjati deri pas mesnate, ku u miratua akti normativ për uljen e akcizës së naftës kur çmimi i karburantit kalon mbi 220 lekë për litër.

Rama mbërrin pas mesnate për votimin

Edhe pse opozita kërkoi gjatë gjithë ditës praninë e kryeministrit për interpelanca, kryeministri Edi Rama u paraqit në Kuvend vetëm pas mesnate, në momentin e votimit të projektligjeve dhe akteve të rendit të ditës.

 

Akti normativ për uljen e akcizës së naftës u miratua me 85 vota pro dhe 25 kundër. Përmes këtij akti parashikohet që akciza të ulet me 20 për qind sa herë çmimi i naftës tejkalon 220 lekë për litër. Ndërkohë, mazhoranca rrëzoi propozimet e Partisë Demokratike që kërkonin uljen e taksës së qarkullimit, reduktimin e akcizës mbi naftën dhe heqjen e akcizës për gazin që përdoret nga industria prodhuese “Made in Albania”.

 

Projektligjet dhe vendimet e miratuara

Gjatë seancës u miratuan edhe një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh të tjera, mes tyre ndryshimet në ligjin për shtetësinë, ligjin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë, si dhe projektligji për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.

 

Po ashtu u ratifikua marrëveshja ndryshuese për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për periudhën 2021–2027. Një tjetër projektligj i miratuar lidhej me ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare, ndërsa u votua edhe projektligji për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse.

 

Emërime në institucione të rëndësishme

Kuvendi votoi gjithashtu disa emërime në institucione të rëndësishme shtetërore. Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner pranë Zyrës së Avokatit të Popullit për mekanizmin kombëtar për parandalimin e torturës, ndërsa Alma Faskaj u emërua sekretare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.

 

Genta Tafa u zgjodh Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa Merita Bejtja mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën seancë u miratua edhe zgjedhja e Matilda Shehut si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe lista e audituesve ligjorë për auditimin e llogarive financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2024–2025.

 

Seanca përfundoi pas mesnate

Pas diskutimeve dhe votimeve që vijuan për orë të tëra, seanca plenare u mbyll rreth orës 00:35, duke përmbyllur një nga mbledhjet më të gjata parlamentare të muajve të fundit.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat