Secondary Adv

Propozohen ndryshime në Kodin Rrugor, hiqet patenta përgjithmonë për përdorim alkooli

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë ndryshimesh në Kodin Rrugor, që parashikon masa më të ashpra për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht për shoferët e rinj dhe ata që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.

Ndryshimet vijnë pas aksidentit tragjik në Durrës

Nisma është ndërmarrë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku një shofer i dehur dhe me shpejtësi u mori jetën dy të miturve. Drafti është propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputeti socialist Erion Braçe.

 

Sipas amendamenteve të depozituara në Kuvend, drejtuesit që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi do të humbasin të drejtën për t’u pajisur me patentë për një vit. Për të miturit që kapen në timon pa patentë, masa është edhe më e ashpër. Ata nuk do të mund të marrin patentën në moshën 18-vjeçare, por vetëm pasi të mbushin 20 vjeç.

 

Rregulla më të forta për shoferët e rinj

Drafti parashikon kufizime të posaçme për drejtuesit gjatë vitit të parë të patentës. Ata duhet të kenë tolerancë zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit. Gjithashtu, shoferët e rinj nuk do të lejohen të qarkullojnë nga ora 00:00 deri në 06:00 pa praninë e një personi të rritur që ka patentë prej të paktën tre vitesh. 

 

Një tjetër ndryshim lidhet me kufijtë e shpejtësisë. Për shoferët në periudhë prove, shpejtësia maksimale do të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.

 

Shkelja e këtyre kufijve do të shoqërohet me gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse drejtuesi nuk kryen asnjë shkelje brenda një viti, kufizimet hiqen automatikisht. Por nëse kryhen dy shkelje gjatë kësaj periudhe, faza e provës zgjatet edhe me një vit tjetër.

 

Patenta hiqet përgjithmonë për përsëritësit

Ndryshimi më i fortë i propozuar lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Drafti parashikon që çdo drejtues që kapet me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak dhe që është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, në rast përsëritjeje do të humbasë patentën përgjithmonë. Amendamentet parashikojnë gjithashtu ndalimin e përdorimit të celularit edhe për drejtuesit e biçikletave dhe motorëve elektrikë.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat