Secondary Adv

Euro prek rekord të ri, zbret në minimumin historik prej 95.44 lekësh

Monedha europiane ka vijuar rënien në tregun vendas, duke prekur një rekord të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Euro humbet terren ndaj lekut

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 95.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në tregun valutor shqiptar.

Që nga fillimi i vitit 2026, Euro është zhvlerësuar me rreth 1.4% ndaj lekut, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia ka arritur në 2.8%.

 

Tremujori i dytë i vitit ka shtuar më tej presionet rënëse mbi monedhën europiane. Ndryshe nga vitet e mëparshme, tendenca e dobësimit të Euros është shfaqur qartë edhe gjatë muajve të parë të vitit.

 

Sipas agjentëve të tregut valutor, oferta e lartë e Euros dhe kërkesa e dobët për valutë kanë shtyrë kursin drejt niveleve të reja minimale. Në prag të sezonit veror, kur prurjet valutore pritet të shtohen nga turizmi dhe emigrantët, presionet për zhvlerësim të mëtejshëm të Euros mund të intensifikohen.

 

Banka e Shqipërisë vijon ndërhyrjet në treg

Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht në treg për të frenuar forcimin e lekut përmes blerjeve të mëdha të valutës. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit të kaluar banka qendrore bleu mbi 1 miliard euro në tregun e brendshëm, rreth 10% më shumë krahasuar me një vit më parë. Këto ndërhyrje kishin si synim rritjen e rezervës valutore, por edhe zbutjen e rënies së Euros.

 

Blerjet kanë vijuar edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, megjithëse shifrat zyrtare ende nuk janë publikuar. Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga 330 deri në 450 milionë euro përmes ankandeve në tregun vendas. Megjithatë, në kushtet kur inflacioni po afrohet pranë objektivit 3%, hapësirat për ndërhyrje të mëtejshme në treg mund të kufizohen. Një tërheqje, edhe e pjesshme, e Bankës së Shqipërisë nga blerjet e Euros mund të përshpejtojë më tej rënien e kursit gjatë muajve të verës.

 

Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të importeve, sidomos e karburanteve, mund të ndikojë në kahun e kundërt duke shtuar kërkesën për valutë në treg.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat