11 mln euro për pushtetin vendor, BE dhe GIZ nisin programin e ri për bashkitë
Bashkimi Europian po shton mbështetjen për pushtetin vendor në Shqipëri, në një moment kur integrimi europian kërkon gjithnjë e më shumë kapacitete administrative dhe financiare nga bashkitë.

Projekti “EU4Municipalities II”, i prezantuar këtë të premte, parashikon një financim prej 11 milionë eurosh dhe synon modernizimin e qeverisjes vendore dhe forcimin e aftësisë së bashkive për të përthithur fondet europiane.
Programi zbatohet nga GIZ në partneritet me rrjetin e shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive. Ai parashikon investime në infrastrukturë, modernizimin e shërbimeve bashkiake dhe rritjen e kapaciteteve institucionale, me fokus të veçantë tek përgatitja e administratës vendore për standardet e Bashkimit Europian.
Projekti vjen në një fazë kyçe për Shqipërinë, teksa procesi i negociatave me BE po zhvendos gjithnjë e më shumë përgjegjësinë e zbatimit të reformave edhe tek niveli vendor. Në këtë kuadër, programi shihet si një instrument për të ndihmuar bashkitë të rrisin aftësinë për të hartuar projekte, për të menaxhuar fondet europiane dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit, Kryeministri Edi Rama e cilësoi “EU4Municipalities II” si një investim strategjik të Bashkimit Europian dhe jo thjesht një mbështetje financiare. Sipas tij, konsolidimi i pushtetit vendor është një element i domosdoshëm për funksionimin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
Rama theksoi se një pjesë e konsiderueshme e fondeve europiane për vendet anëtare kalon përmes nivelit vendor dhe sfida kryesore për Shqipërinë mbetet aftësia e bashkive për të përgatitur projekte dhe për të menaxhuar instrumentet financiare të BE-së.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek rëndësia e paketës financiare prej 11 milionë eurosh, duke theksuar se vlera reale e projektit nuk qëndron vetëm tek fondi, por tek instrumenti që krijon për zhvillimin afatgjatë të pushtetit vendor.
“Nuk janë 11 milionë eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra se si është i ndërtuar, që duhet t’i bëjë të gjitha bashkitë jo vetëm të interesuara, por edhe plotësisht të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument”, deklaroi Rama.
Ai vuri theksin edhe tek mungesa e kapaciteteve njerëzore në administratën vendore, duke e konsideruar këtë si një nga problemet më të mëdha për vitet në vijim. Sipas tij, projekti duhet të shfrytëzohet jo vetëm si një burim financimi, por si një mundësi për të ndërtuar ekspertizë dhe struktura profesionale brenda bashkive.
Një tjetër element ku Rama u ndal ishte digjitalizimi i shërbimeve vendore. Ai pranoi se ekziston një diferencë e madhe mes nivelit të digjitalizimit të administratës qendrore dhe bashkive, duke e cilësuar këtë diferencë si “të papranueshme dhe të pajustifikueshme”.
Sipas tij, qeveria do të bashkëpunojë me Bashkimin Europian dhe partnerët ndërkombëtarë për të përshpejtuar transformimin digjital të pushtetit vendor, në mënyrë që bashkitë të afrohen me standardet e administrimit europian.
Në këtë kuadër, “EU4Municipalities II” shihet si një nga instrumentet kryesore për përgatitjen e pushtetit vendor shqiptar për fazën e anëtarësimit në BE, duke kombinuar financimin, ekspertizën teknike dhe transferimin e praktikave europiane në administrimin lokal.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)