Secondary Adv

40 për qind e totalit të kredive për bizneset për pasuri të paluajtshme

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare mbetet në pozicion neto debitor ndaj pjesës tjetër të botës, me zgjerim të lehtë gjatë 2024-2025.

Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare vijon të mbajë një pozicion neto debitor ndaj pjesës tjetër të botës, i cili në vitin 2024 është zgjeruar lehtë, ndërsa në vitin 2025 ka vijuar të thellohet, por me ritëm më të moderuar. Pesha kryesore e këtij pozicioni lidhet me sektorin e bizneseve, të cilat mbeten debitori më i madh në ekonomi, ndërkohë që ekonomitë familjare mbajnë pozicionin kryesor kreditor.

 

Të dhënat tregojnë se detyrimet e bizneseve janë rritur më shpejt se aktivet e tyre, duke e thelluar pozicionin neto negativ me rreth 10% ose 220 miliardë lekë në vitin 2024, ndërsa ekspozimi total arrin në rreth 2,650 miliardë lekë. Në raport me PBB-në, detyrimet financiare të bizneseve përbëjnë 190%, ndërsa mjetet 80%, duke e çuar pozicionin neto në rreth 110% të PBB-së, nga 118% në vitet 2020-2021.

 

Raporti vëren si shqetësim varësinë e lartë nga jorezidentët. Detyrimet ndaj tyre përfaqësojnë rreth 1/3 e totalit dhe janë mbi 12 herë më të mëdha se pretendimet, ndërsa pozicioni neto debitor ndaj jorezidentëve arriti në rreth 1,350 miliardë lekë në fund të vitit 2024. Në total, bizneset mbajnë rreth 60% të detyrimeve të ekonomisë ndaj jashtë, duke e bërë këtë sektor burimin kryesor të ekspozimit të jashtëm.

 

Megjithatë, struktura e financimit ka ndryshuar në vite, duke treguar një ulje të varësisë nga borxhi. Raporti borxh/kapital ka rënë në rreth 30% nga mbi 80% në vitin 2013, ndërsa stoku i borxhit ka mbetur rreth 800 miliardë lekë, krahasuar me rritjen e detyrimeve në formën e kapitalit në mbi 2,500 miliardë lekë. Kjo tregon një orientim më të madh drejt financimit përmes kapitalit, përfshirë investimet e huaja direkte.

 

Në fund të vitit 2025, stoku i investimeve të huaja direkte arriti në 17 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 10%, ndërsa pozicioni i jashtëm neto i bizneseve u zgjerua në rreth 15.8 miliardë euro. Rritja më e fortë e investimeve u regjistrua në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme (nga 29%), si dhe në tregti (18%), duke reflektuar një orientim të kapitalit drejt këtyre sektorëve.

 

Në raport me bankat, bizneset vijojnë të jenë debitorë neto, me një diferencë mes kredive dhe depozitave që arriti në rreth 190 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga 170 miliardë lekë një vit më parë. Kredia u rrit me rreth 50 miliardë lekë ose 10%, ndërsa depozitat me 30 miliardë lekë ose 9%. Zgjerimi i kreditimit është mbështetur kryesisht nga kredia në valutë, e cila u rrit me 11%, kundrejt 8% për kreditë në lekë.

 

Po kështu, tendencë e rëndësishme është orientimi i kredisë drejt pasurive të paluajtshme, që përbëjnë 40% të portofolit, si dhe rritja e fortë në sektorë si transporti (30%), energjia (19%) dhe aktivitetet imobiliare (34%). Ndërkohë, normat e interesit kanë rënë në 5.8% për kreditë në lekë dhe 5.3% për ato në euro, duke nxitur kërkesën e bizneseve për financim, e cila mbetet e lartë dhe e lidhur si me investimet, ashtu edhe me nevojat për likuiditet.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat