Secondary Adv

Tatimet forcojnë kontrollet, auditim për individët me pasuri dhe transaksione të mëdha

Administrata Tatimore ka vendosur në fokus individët me pasuri të konsiderueshme dhe me risk të lartë fiskal, si pjesë e objektivave të Planit të Rritjes të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Ky ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e zhvilluar mes Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe përfaqësuesve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

 

Sipas Tatimeve, auditimi i individëve me pasuri të mëdha do të mbështetet jo vetëm tek të dhënat e vetëdeklaruara nga qytetarët, por edhe tek informacionet e siguruara nga palë të treta, duke sinjalizuar një fazë të re të kontrollit fiskal dhe verifikimit të burimit të të ardhurave.

 

Në fokus të kësaj qasjeje do të jenë individë me pasuri të konsiderueshme, prona, investime apo transaksione me vlera të larta, ndërsa administrata synon të krahasojë deklarimet fiskale me informacionet që disponohen nga institucione të tjera, sistemi bankar apo burime të ndryshme të dhënash.

 

Paralelisht me auditimin e individëve me risk të lartë, Tatimet po punojnë edhe për krijimin e regjistrit të aseteve për 10% të totalit të tatimpaguesve, një instrument që synon të forcojë gjurmueshmërinë e pasurisë dhe analizën e riskut fiskal.

 

Takimi me Delegacionin e Bashkimit Europian u fokusua tek ecuria e katër objektivave kryesore të Planit të Rritjes në fushën e administrimit tatimor, ku përfshihet edhe rritja e transparencës dhe efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave.

 

Një tjetër komponent i rëndësishëm i reformës lidhet me paraplotësimin e deklaratave të TVSH-së për subjektet e TVSH-së dhe të deklaratës vjetore të të ardhurave personale (DIVA) për individët deklarues. Sipas Tatimeve, kjo synon të reduktojë informalitetin, të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe bizneset, si dhe të rrisë përputhshmërinë fiskale.

 

Në tryezë u diskutua edhe forcimi i strukturave të hetimit tatimor për të luftuar evazionin dhe mashtrimin fiskal, në kuadër të reformave që lidhen me standardet e Bashkimit Europian dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. 

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat