KLSH: 10 pesticide të ndaluara në BE gjenden në tregun shqiptar
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar probleme serioze në Ministrinë e Bujqësisë, duke përfshirë qarkullimin e pesticideve të ndaluara në Bashkimin Europian dhe dëme financiare prej rreth 207 milionë lekësh.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar gjetjet e një auditimi të zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), i cili mbulon periudhën 2023–2024 dhe kontratat publike të viteve 2019–2024.
Sipas raportit, auditimi ka evidentuar mangësi në hartimin dhe zbatimin e akteve administrative, ku në shumë raste nuk përcaktohen qartë përgjegjësitë institucionale dhe strukturat që duhet të monitorojnë zbatimin e tyre. KLSH vlerëson se kjo situatë krijon paqartësi dhe rrezik për mbivendosje vendimmarrjesh.
Pesticide të ndaluara në BE në tregun shqiptar
Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit lidhet me produktet për mbrojtjen e bimëve. Sipas KLSH-së, gjatë viteve 2022–2024 në tregun shqiptar kanë qarkulluar 10 pesticide të ndaluara në Bashkimin Europian.
Raporti evidenton gjithashtu se për disa produkte bujqësore, normat e përdorimit të pesticideve rezultojnë disa herë më të larta se standardet e lejuara në vendet e BE-së.
KLSH ngre shqetësimin se mungesa e kontrolleve efektive dhe monitorimit të vazhdueshëm rrit rrezikun për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
Probleme me tokat bujqësore dhe kontratat
Auditimi ka evidentuar edhe problematika të shumta me administrimin e tokave bujqësore të dhëna me qira.
Nga 673 parcela në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm 102 prej tyre, ose rreth 15%, rezultojnë me dokumentacion pronësie të regjistruar në emër të MBZHR-së.
Sipas raportit, këto prona nuk janë pasqyruar siç duhet në bilancet financiare, duke sjellë nënvlerësim të aseteve shtetërore.
Gjithashtu janë konstatuar mangësi në kontratat e qirasë dhe investimeve, ku në disa raste projektet nuk janë realizuar sipas marrëveshjeve, janë bërë ndryshime kontratash dhe nuk është verifikuar pronësia përpara dhënies së tokës me qira.
Dëmi ekonomik arrin në 207 milionë lekë
KLSH evidenton gjithashtu probleme në procedurat e prokurimeve publike, ku kriteret dhe specifikimet teknike në disa raste nuk kanë qenë të argumentuara apo të justifikuara.
Nga kontrolli i punimeve publike janë konstatuar punë të pakryera, për të cilat është kërkuar dëmshpërblim në vlerën e 19,053 mijë lekëve.
Sipas auditimit, dëmi total nga menaxhimi joefektiv i fondeve publike arrin në rreth 207 milionë lekë. Kjo vlerë lidhet me investime të papërfunduara, pagesa për vendime gjyqësore, shpenzime karburanti dhe problematika në administrimin e tokave bujqësore.