SHBA refuzoi planin e Iranit për armëpushim, rritet sërish çmimi i naftës
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po rikthejnë presionin në tregjet energjetike, ndërsa çmimet e naftës u rritën mbi 4 për qind pas refuzimit të propozimit iranian për armëpushim.
Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rritje të fortë në tregjet ndërkombëtare, pas përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit dhe refuzimit nga Presidenti amerikan Donald Trump të një propozimi iranian për armëpushim.
Në tregjet aziatike, nafta Brent u rrit me 4.30%, duke arritur në 105.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit me 4.72%, në 99.92 dollarë për fuçi.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, tregjet reaguan menjëherë pas një deklarate të Trump në rrjetet sociale, ku ai e cilësoi përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan si “krejtësisht të papranueshme”.
Trump paralajmëron përshkallëzim të ri
Presidenti amerikan nuk bëri publike të gjitha detajet e ofertës iraniane, por paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje të shpejtë mund të çojë në një tjetër përshkallëzim ushtarak në rajon.
Sipas raportimeve, Irani kishte propozuar ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, heqjen e bllokadës amerikane ndaj eksporteve iraniane dhe njohjen e rolit të Teheranit në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, aleatët rajonalë të SHBA-së kanë kundërshtuar kategorikisht çdo mundësi që Irani të marrë kontroll mbi këtë korridor strategjik detar ose të vendosë tarifa për kalimin e anijeve.
Tregjet rikthehen në alarm
Vetëm pak orë para refuzimit të planit, Trump kishte akuzuar publikisht Iranin se po përpiqet të zvarrisë negociatat dhe se “po luan lojëra” me procesin diplomatik.
Rritja e tensioneve ka rikthyer shqetësimet në tregjet globale të energjisë, pasi Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimin botëror me naftë.
Analistët paralajmërojnë se çdo përkeqësim i mëtejshëm i situatës ose dështim i negociatave mund të shtyjë çmimet e naftës edhe më lart në javët e ardhshme, duke rritur presionin mbi inflacionin dhe ekonominë globale.