Privatizimi i banesave shtetërore, Qeveria lehtëson dokumentet dhe zhbllokon rastet pa tituj pronsie
Qeveria ka miratuar ndryshime të reja për privatizimin e banesave shtetërore, duke zgjeruar kategoritë përfituese, lehtësuar dokumentacionin dhe zhbllokuar rastet me probleme pronësie.

Ndryshimet e reja prekin procesin e privatizimit të banesave shtetërore dhe objekteve të kthyera në banesa, me synimin për të përshpejtuar mbylljen e dosjeve të vjetra dhe për të zgjidhur rastet që kanë mbetur pezull prej vitesh.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën e llogaritjes së sipërfaqes “mbi normë”. Deri tani, sipërfaqja shtesë mbi normat e strehimit paguhej me çmimin e tregut, ndërsa me vendimin e ri ajo do të llogaritet mbi bazën e “kostos aktuale të ndërtimit”. Në praktikë kjo pritet të ulë ndjeshëm faturën për familjet që disponojnë apartamente më të mëdha se norma e përcaktuar.
Zgjerohen kategoritë përfituese
Qeveria ka ndryshuar edhe kriteret për përfituesit e privatizimit. Për banesat që kanë qenë subjekt i ligjit të vitit 2004, baza nuk do të jetë më vetëm certifikata familjare e atij viti, por familjarët madhorë që jetojnë aktualisht në banesë dhe figurojnë në certifikatën familjare aktuale.
Ky ndryshim u jep mundësi përfitimi edhe familjeve që kanë ndryshuar përbërjen ndër vite ose që nuk përfshiheshin në dokumentacionin e mëparshëm.
Zhbllokohen rastet pa dokumente pronësie
Vendimi i ri synon të zgjidhë edhe problemet me banesat që nuk kanë dokumentacion të plotë pronësie.
Bashkitë do të mund të nisin procedurat e privatizimit edhe në rastet kur mungon informacioni mbi titullin e pronësisë. Në këto raste, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të përditësojë statusin juridik të pasurisë si “pronë shtet”, duke hapur rrugën për kalimin e saj në privatizim.
Ky mekanizëm pritet të zhbllokojë qindra raste që kanë mbetur pezull për vite për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë.
Lehtësohen dokumentet për qytetarët
Ndryshimet parashikojnë edhe më pak burokraci për qytetarët që aplikojnë për privatizim.
Përveç kontratës së qirasë apo akteve të dorëzimit, tashmë do të pranohen edhe dokumente të tjera provuese, si libreza e energjisë elektrike, libreza e ujit apo vërtetimi i banimit nga njësia administrative ose lagjja.
Vendosen edhe tarifa të reja
Megjithëse vendimi sjell lehtësime për një pjesë të familjeve, ai parashikon edhe kosto të reja operative.
Për banesat që privatizohen nga Enti Kombëtar i Banesave, qytetarët do të paguajnë 4 për qind të vlerës së privatizimit si shpenzim operacional për EKB-në.
Po ashtu, përfituesit duhet të paguajnë paraprakisht si shpenzimet administrative ashtu edhe ato operacionale para nënshkrimit të kontratës.
Afat i ri për lidhjen e kontratave
Qeveria ka ndryshuar edhe afatet për përfundimin e privatizimit.
Përfituesit do të kenë deri në dy vjet kohë për të lidhur kontratën nga momenti kur subjekti shtetëror pajiset me certifikatën e pronësisë. Për banesat që e kanë tashmë certifikatën, afati nis me hyrjen në fuqi të vendimit të ri.
Ndryshimet synojnë të përshpejtojnë legalizimin e situatave të pambyllura prej dekadash dhe të ulin barrën financiare për familjet që kanë sipërfaqe mbi normë, megjithëse tarifa e re prej 4 për qind pritet të rrisë kostot për një pjesë të qytetarëve.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)