Secondary Adv

Hekurudha Tiranë-Durrës, tender 15.7 mln euro për zgjatjen e linjës deri në Stacionin Qendror Tiranë

Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin me vlerë rreth 15.7 milionë euro për zgjatjen e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës deri në Stacionin Qendror të Trenit në kryeqytet.

Projekti parashikon ndërtimin e një segmenti të ri prej 4 kilometrash që do të lidhë Terminalin e Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë, me synimin për të integruar transportin urban me rrjetin kombëtar hekurudhor.

 

Sipas dokumenteve të publikuara nga Hekurudha Shqiptare, kontrata është e tipit “çelësa në dorë” dhe ka një fond limit prej 1.5 miliardë lekësh.

 

Dy ndalesa të reja në kryeqytet

Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy ndalesave të ndërmjetme, të identifikuara si Tirana 1 dhe Tirana 2, të cilat synojnë të përmirësojnë aksesin e qytetarëve dhe lidhjen me rrjetin e transportit publik urban.

 

Një pjesë e rëndësishme e punimeve lidhet edhe me përfundimin e urës mbi Unazën e Tiranës, me një gjatësi prej 71 metrash.

Përveç infrastrukturës hekurudhore, kontrata parashikon edhe rehabilitimin e rrugëve lokale të prekura nga punimet, përfshirë asfaltimin, zgjerimin e segmenteve rrugore dhe ndërtimin e trotuareve.

 

Linja do të elektrifikohet

Sipas projektit, linja e re do të elektrifikohet dhe do të pajiset me sinjalistikë moderne dhe sistem telekomunikimi të integruar me pjesën ekzistuese të linjës Durrës–Tiranë.

 

Dokumentet teknike parashikojnë që shpejtësia e lëvizjes së trenave në segmentin Terminali i Transportit Publik – Stacioni Qendror Tiranë të jetë nga 70 deri në 100 kilometra në orë.

 

“Seksioni në studim fillon me një kthesë me rreze 1000 metra dhe mbyllet me një segment të drejtë në stacionin Tirana CCS. Nga Tirana PTT deri në Tirana CCS, shpejtësia është 70-100 km/orë”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Po sipas projektit, grupi i ekspertëve të Hekurudhës Shqiptare ka lënë të hapur mundësinë për rishikimin e disa parametrave teknikë për të optimizuar gjurmën ekzistuese hekurudhore.

 

Projekti vijon prej vitit 2021

Projekti për rehabilitimin e linjës Durrës–Tiranë dhe zgjatimin drejt Rinasit ka nisur zbatimin që prej vitit 2021 dhe ende nuk ka një afat të saktë për përfundimin e plotë të tij.

 

Ky investim konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të transportit hekurudhor në vend, me synimin për të rikthyer funksionalitetin e transportit me tren dhe për të lidhur kryeqytetin me aeroportin dhe qytetin e Durrësit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat