Secondary Adv

Kryeministri Rama: Brenda 2030 sistemi i ri për prokurimet publike, do të përdoret IA

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përgatit një sistem të ri për prokurimet publike, i cili do të përdorë Inteligjencën Artificiale për automatizimin dhe menaxhimin e procedurave.

Gjatë një konference ku u prezantuan zhvillimet kryesore në fushën e prokurimeve publike, Rama tha se projekti “Diella” po hyn në një fazë të re dhe se brenda këtij mandati pritet të jetë funksional sistemi i ri i prokurimeve.

 

Sipas tij, janë përgatitur rreth 450 faqe me specifikime teknike, të cilat janë shqyrtuar nga Banka Botërore dhe kanë marrë miratimin për vijimin e projektit.

 

“Jemi gati të kalojmë në një sistem unikal me inteligjencë artificiale. Projekti ynë është i pari i këtij lloji në rajon, sepse mundëson prokurimin me inteligjencë artificiale në një masë shumë të madhe të procesit”, deklaroi Rama.

 

Prokurime me një klik dhe pa dokumente fizike

Kryeministri tha se sistemi i ri synon të eliminojë dokumentacionin fizik dhe procedurat burokratike për bizneset.

“Asnjë biznes nuk do të mbledhë më letra lart e poshtë për prokurimet publike. Të dhënat do të mblidhen nga DIELLA përmes më shumë se 40 regjistrave publikë dhe do të vendosen në dispozicion të projektit për t’u menaxhuar me një klik”, u shpreh ai.

 

Sipas Ramës, çdo veprim do të jetë i monitorueshëm në ekran dhe i menaxhuar në mënyrë transparente, ndërsa algoritmet do të përdoren për llogaritjen e fondit publik dhe shqyrtimin e procedurave.

“Çdo gjë do të bëhet me algoritme nga Diella”, shtoi ai.

 

Qeveria synon standarde europiane

Rama deklaroi se sistemi i ri do të ndërtohet mbi standardet më të larta të transparencës, në përputhje me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.

Ai theksoi se deri në vitin 2030 Shqipëria synon të hyjë në një fazë të re të administrimit të prokurimeve publike, si pjesë e objektivit për integrimin europian.

“Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër të re brenda këtij mandati, për një Shqipëri Europiane 2030”, tha Rama.

 

Qeveria: Shqipëria ka rritur konkurrencën në tendera

Kryeministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria ka përmirësuar treguesit e konkurrencës në prokurimet publike krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian.

Sipas tij, 23.5 për qind e procedurave në Shqipëri realizohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 32.5 për qind.

“Kemi mesatarisht 3.7 ofertues për procedurë prokurimi. Në vitin 2025 vetëm 12 për qind e prokurimeve publike u zhvilluan me një ofertues, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 14 për qind”, deklaroi Rama.

 

Certifikim i ri për specialistët e prokurimeve

Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, Reida Kashta, deklaroi se institucioni ka përgatitur dokumentacionin për Bashkimin Europian me të dhënat e pesë viteve të fundit.

 

Ajo bëri me dije se deri në gusht 2026 të gjithë specialistët e fushës do t’i nënshtrohen testimit për certifikim sipas standardeve të reja.

Kashta shtoi se sistemi i ri do të përfshijë elementë të Inteligjencës Artificiale për të rritur efikasitetin dhe transparencën në administrimin e procedurave publike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat