Kompensimi nga DIVA, Tatimet publikojnë udhëzimin për deklarimin e llogarisë bankare
Administrata Tatimore ka publikuar udhëzimin për deklarimin e llogarisë bankare për individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar nga Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale (DIVA 2025).
Individët që kanë plotësuar DIVA 2025 dhe rezultojnë me tepricë tatimore kanë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e shumës së mbipaguar, e cila do të kalojë direkt në llogarinë bankare të deklaruar në sistemin e-Filing.
Përfitues të kompensimit janë si familjet që do të përfitojnë nga zbritja e shpenzimeve për fëmijët dhe arsimin, ashtu edhe individët pa fëmijë që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas rillogaritjes së detyrimit.
Sipas rregullave në fuqi, për çdo fëmijë në ngarkim përfitohet zbritje deri në 48 mijë lekë në vit, ndërsa për shpenzimet e arsimit zbritja arrin deri në 120 mijë lekë.
Tatimet: Deklaroni saktë IBAN-in
Administrata Tatimore thekson se deklarimi korrekt i llogarisë bankare është i domosdoshëm për vijimin e procedurës së rimbursimit.
“Të gjithë individët që kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale dhe rezultojnë me tatim të mbipaguar duhet të deklarojnë saktë të dhënat e llogarisë së tyre bankare në sistemin e-Filing”, njoftojnë Tatimet.
Për çdo rast është i detyrueshëm ngarkimi në format PDF i dokumentit të IBAN-it të lëshuar nga banka ku individi ka llogarinë bankare.
Sipas Tatimeve, vendosja e të dhënave të pasakta mund të sjellë vonesa në procesin e rimbursimit.
Për herë të parë përfitojnë edhe individët pa fëmijë
Për herë të parë këtë vit, kompensim do të përfitojnë edhe individët pa fëmijë, të cilët rezultojnë me tatim të mbipaguar për shkak të ndryshimit të mënyrës së rillogaritjes së tatimit.
Për këtë kategori, procedura e aplikimit mbetet e njëjtë, me ndryshimin se nuk kërkohet ngarkimi i certifikatës familjare.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më herët se pas përfundimit të afatit të deklarimit më 31 mars janë dorëzuar gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, ose 25 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas tij, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën 18 vjeç.
Fondi total i gjeneruar për rimbursime arrin në 1.4 miliardë lekë, ndërsa deri tani individët kanë kërkuar rreth 670 milionë lekë për t’u kaluar në llogaritë e tyre bankare.
Si deklarohet llogaria bankare
Sipas udhëzuesit të publikuar nga Tatimet, individët duhet të hyjnë në portalin e-Filing duke përdorur numrin personal të identifikimit dhe fjalëkalimin.
Më pas duhet të zgjedhin opsionin “eFiling Im”, të klikojnë “Profili Im” dhe më tej seksionin “Detajet e Bankës”.
Në këtë seksion mund të shtohet llogaria bankare duke plotësuar të dhënat përkatëse dhe duke ngarkuar dokumentin PDF të IBAN-it.
Tatimet këshillojnë qytetarët të verifikojnë me kujdes numrin e IBAN-it dhe emrin e bankës për të shmangur probleme në transferimin e shumës së rimbursimit.