Projektligji, hyrja në BE sjell ndryshime në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve dhe rritje çmimesh
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve, i cili parashikon përafrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe rritje të ndjeshme të limiteve të mbulimit.
Projektligji i ri synon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian në fushën e sigurimeve motorike dhe do të sjellë ndryshime të rëndësishme për tregun e sigurimeve dhe drejtuesit e mjeteve.
Sipas draftit të përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), shumica e ndryshimeve do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, megjithatë një pjesë e tyre pritet të aplikohen gradualisht duke nisur nga viti 2027.
Rriten ndjeshëm limitet e dëmshpërblimit
Një nga ndryshimet më të mëdha lidhet me rritjen e kufijve minimalë të përgjegjësisë që kompanitë e sigurimit duhet të mbulojnë në rast aksidenti.
Sipas projektligjit, kufiri minimal i përgjegjësisë nuk mund të jetë më i ulët se 6.45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të personave të dëmtuar, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.
Këto nivele janë shumë më të larta krahasuar me legjislacionin aktual.
Sot, limiti i përgjegjësisë është 150 milionë lekë për autobusët dhe kamionët, 200 milionë lekë për mjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme dhe 55 milionë lekë për automjetet e tjera. Ndërsa kufiri për çdo person të dëmtuar është 22 milionë lekë.
AMF parashikon që rritja e limiteve të bëhet gradualisht, për të shmangur goditje të menjëhershme në tregun e sigurimeve dhe te çmimi i policave.
Sigurimi do të vlejë në të gjithë BE-në
Projektligji përcakton gjithashtu se kontrata e sigurimit të detyrueshëm TPL do të mbulojë të gjithë territorin e Bashkimit Europian me një prim të vetëm.
Kjo do të thotë se sigurimi shqiptar do të jetë i vlefshëm edhe në vendet e BE-së dhe do të mbulojë dëmet e shkaktuara jashtë territorit të Shqipërisë.
Praktikisht, polica TPL do të kryejë edhe funksionin që sot realizohet nga Karta e Gjelbër.
Ky ndryshim pritet të sjellë rritje të konsiderueshme të primit të sigurimit të detyrueshëm, pasi kompanitë do të marrin përsipër përgjegjësi shumë më të larta dhe mbulim ndërkombëtar.
Kontratat do të lidhen edhe online
Projektligji sjell edhe ndryshime në mënyrën e lidhjes së kontratave të sigurimit.
Shoqëritë e sigurimit do të mund të përdorin sisteme elektronike për lidhjen e kontratave me konsumatorët, ndërsa kontratat online do të konsiderohen ligjërisht të vlefshme njësoj si ato të nënshkruara fizikisht.
Kjo do të jetë e mundur nëse konsumatori konfirmon se ka kuptuar informacionin dhe pranon kushtet e kontratës.
Ndryshe nga ndryshimet e tjera, ky element pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të ligjit dhe nuk lidhet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.