Secondary Adv

Serbia kryeson Ballkanin për të ardhurat për frymë, Shqipëria renditet e treta

Serbia dhe Mali i Zi vijojnë të kryesojnë Ballkanin Perëndimor për të ardhurat për frymë, ndërsa Shqipëria renditet e treta në rajon sipas projeksioneve më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2026.

Shqipëria kalon Maqedoninë e Veriut

Sipas të dhënave të FMN-së, Serbia pritet të arrijë këtë vit 17,252 dollarë të ardhura për frymë, ndërsa Mali i Zi 16,377 dollarë. Shqipëria renditet e treta me 12,493 dollarë për frymë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut me 11,967 dollarë dhe Bosnjë-Hercegovinën me 10,701 dollarë.

 

Kosova mbetet ekonomia me të ardhurat më të ulëta në rajon, me rreth 8,958 dollarë për frymë. FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë është mbështetur nga disiplina fiskale, forcimi i turizmit dhe rritja e investimeve në ndërtim, të cilat kanë shërbyer si motorë kryesorë të ekonomisë në vitet e fundit.

 

Parashikime optimiste deri në vitin 2031

Sipas projeksioneve afatmesme të FMN-së, të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pritet të vijojnë rritjen deri në vitin 2031. Serbia pritet të arrijë në 25,291 dollarë të ardhura për frymë, duke ruajtur diferencë të konsiderueshme me vendet e tjera të rajonit, falë zgjerimit të industrisë prodhuese dhe integrimit në zinxhirët europianë të furnizimit.

 

Mali i Zi projektohet të arrijë 21,214 dollarë për frymë, ndërsa Shqipëria pritet të ngjitet në 17,353 dollarë. FMN vlerëson se kjo rritje për Shqipërinë do të mbështetet nga vazhdimi i reformave institucionale dhe fondet e para-anëtarësimit të Bashkimit Europian. Maqedonia e Veriut parashikohet të arrijë 16,354 dollarë për frymë, Bosnjë-Hercegovina 14,084 dollarë, ndërsa Kosova 12,483 dollarë, duke shënuar rritjen më të lartë në përqindje në rajon.

 

Rajoni po hyn në një fazë të re ekonomike

FMN thekson se Ballkani Perëndimor po kalon gradualisht nga një model rritjeje të bazuar te konsumi drejt një ekonomie më të mbështetur te eksportet dhe investimet. Sipas analizës, Serbia ka krijuar avantazh përmes investimeve të huaja dhe zgjerimit të bazës industriale, ndërsa Mali i Zi po përfiton nga turizmi dhe investimet në energjinë e rinovueshme.

 

Për Shqipërinë, raporti evidenton rezistencën ekonomike të lidhur me rritjen e turizmit dhe flukset valutore nga jashtë vendit. FMN paralajmëron se sfidat kryesore për rajonin mbeten produktiviteti, reforma në tregun e punës dhe përballimi i problemeve demografike.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat