Secondary Adv

Hantavirusi, ISHP: Rrisku për Shqipërinë është shumë i ulët, nuk ka vend për panik

Instituti i Shëndetit Publik deklaron se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Hantavirus dhe se rreziku për përhapjen e virusit në vendin tonë mbetet shumë i ulët.

ISHP: Nuk ka rrezik për Shqipërinë dhe Europën

Në një deklaratë për mediat, epidemiologu i ISHP-së, Artan Simaku, theksoi se nuk ka arsye për panik, pasi lloji i brejtësit që mbart virusin e identifikuar në anijen turistike MV Hondius nuk ekziston në Shqipëri dhe as në kontinentin europian.

 

“Nuk ka fare vend për panik. Jo vetëm Shqipëria, por edhe gjithë kontinenti europian konsiderohet me risk shumë të ulët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Instituti i Shëndetit Publik”, u shpreh Simaku. Sipas tij, nuk ka asnjë kufizim për udhëtimet apo tregtinë, ndërsa vlerësimi bazohet në analiza epidemiologjike dhe në faktin që rezervuari kryesor i këtij lloji të virusit nuk gjendet në Europë.

 

Transmetimi nga njeriu te njeriu konsiderohet i rrallë

ISHP sqaron se hantaviruset përbëjnë një grup të madh virusesh dhe se lloji i identifikuar në rastin e fundit transmetohet shumë rrallë nga njeriu te njeriu. Sipas ekspertëve, rastet e transmetimit mund të ndodhin vetëm në kontakte shumë të afërta dhe të zgjatura familjare, kryesisht gjatë kujdesit intensiv ndaj një personi të infektuar.

 

Për llojet e tjera të hantavirusit që qarkullojnë sporadikisht në Europë dhe Ballkan, përfshirë edhe rajonin tonë, nuk është dokumentuar transmetim nga njeriu te njeriu.

 

Masat e marra nga sistemi shëndetësor

Pavarësisht riskut të ulët, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë shtuar masat parandaluese dhe monitoruese. Sipas ISHP-së, është përforcuar survejanca epidemiologjike për identifikimin e rasteve të dyshuara, ndërsa informacioni është shpërndarë në të gjitha shërbimet infektive dhe tek mjekët e kujdesit parësor.

 

Mjekët janë udhëzuar të jenë të përditësuar me simptomat e virusit për të mundësuar zbulimin në kohë, izolimin e rasteve të dyshuara dhe monitorimin e kontakteve të afërta. “Shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin është i gatshëm për të identifikuar dhe menaxhuar çdo rast të mundshëm”, tha Simaku.

 

Çfarë është Hantavirusi?

Hantavirusi është një virus që bartet nga brejtësit dhe transmetohet te njerëzit kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e tyre.

 

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në raste më të rralla virusi mund të transmetohet edhe përmes pickimeve ose gërvishtjeve nga brejtësit.

 

Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, të dridhura, dhimbje muskujsh dhe koke. Në rastet më të rënda mund të shkaktojë probleme serioze respiratore dhe mbushje të mushkërive me lëngje.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat