Secondary Adv

AIDA hap thirrjen për financimin e bizneseve, deri në 2.5 milionë lekë për NMVM

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka hapur thirrjen për mbështetjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për vitin 2026, me fonde që arrijnë deri në 2.5 milionë lekë për projekt.

100 milionë lekë fond për zhvillimin e bizneseve

Programi financohet nga buxheti i shtetit përmes fondit “Për zhvillimin e ndërmarrjeve” dhe synon të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, duke mbështetur inovacionin, standardizimin, dixhitalizimin dhe zgjerimin drejt tregjeve të eksportit.

 

Sipas njoftimit të AIDA-s, fondi total në dispozicion për këtë skemë është 100 milionë lekë dhe përfitues do të jenë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që operojnë në territorin e Shqipërisë dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në ligjin “Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”.

 

Mbështetje deri në 100% të kostove

Në kuadër të Programit “Mbështetje për Zhvillimin e Biznesit”, AIDA ka parashikuar “Skemën 1”, e cila ofron financim për shpenzime korrente deri në 2.5 milionë lekë për çdo projekt, duke mbuluar deri në 100% të kostove të pranueshme.

 

Ndër shpenzimet që do të financohen përfshihen certifikimi i standardeve të prodhimit dhe shërbimit, përmirësimi i produkteve përmes etiketimit dhe ambalazhimit, trajnimet për stafin në teknologji digjitale, marketing dhe logjistikë, si dhe zhvillimi i platformave të tregtisë elektronike apo proceseve inovative të biznesit.

 

Aplikimet deri më 9 qershor 2026

Sipas AIDA-s, projektet e financuara duhet të realizohen brenda vitit buxhetor 2026, ndërsa dokumentacioni financiar dhe raporti përfundimtar duhet të dorëzohen brenda muajit nëntor 2026. Thirrja do të qëndrojë e hapur për 30 ditë kalendarike, deri më 9 qershor 2026. Aplikimet do të kryhen elektronikisht në adresën zyrtare: ndermarrje@aida.gov.al.

 

Kjo skemë konsiderohet një mundësi për bizneset shqiptare që të investojnë në modernizim, standardizim dhe dixhitalizim, në një periudhë kur rritja e konkurrueshmërisë dhe orientimi drejt eksporteve po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për ekonominë e vendit.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat