Kompensimi për fëmijët nga DIVA 2025, Tatimet: E drejta për aplikim nuk humbet për 5 vite
Individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas plotësimit të DIVA 2025 mund të kërkojnë kompensim në llogarinë bankare, ndërsa e drejta për aplikim mbetet e vlefshme për pesë vite.

Administrata Tatimore ka sqaruar se të gjithë individët që kanë rezultuar me tepricë kreditore ose tatim të mbipaguar pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), mund të përfitojnë kompensim përmes llogarisë së tyre bankare.
E drejta për të aplikuar për kompensim nuk humbet menjëherë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, individët kanë afat deri në pesë vite për të kërkuar rimbursimin e shumës së mbipaguar.
“Nuk ka një afat të posaçëm ligjor për paraqitjen e kërkesës për rimbursim. E drejta e individëve për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite”, sqaroi Rozana Çelmeta, drejtoreshë e procesit të biznesit në Tatime.
Sipas saj, nëse kompensimi nuk kërkohet menjëherë, shuma mbetet si tepricë në sistem për llogarinë e individit dhe mund të kërkohet në çdo moment brenda këtij afati.
Kush përfiton kompensim nga DIVA 2025
Përfitues të kompensimit janë prindërit që kanë fëmijë në ngarkim dhe që përfitojnë zbritjen prej 48 mijë lekësh në vit për çdo fëmijë, si dhe zbritjen deri në 120 mijë lekë për shpenzimet arsimore për individët me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë.
Për herë të parë këtë vit përfitojnë kompensim edhe individët që nuk kanë fëmijë në ngarkim, por që nga rillogaritja vjetore e tatimit rezultojnë me mbipagesë.
Sipas Ministrisë së Financave, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën 18 vjeç.
Në total, sistemi ka gjeneruar një fond prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursime, ndërsa deri tani janë kërkuar vetëm 670 milionë lekë për kalim në llogaritë bankare të individëve.
Dokumentet që duhen për aplikim
Për të përfituar kompensimin, individët duhet të paraqesin kërkesën online në sistemin e-Filing dhe të deklarojnë saktë të dhënat bankare.
Në formularin e kërkesës duhet të vendoset teksti:
“Unë i nënshkruara XY me numër identifikimi I….. kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare, shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë X lekë pas plotësimit nga DIVA 2025.”
Prindërit që përfitojnë kompensim për fëmijët duhet të ngarkojnë certifikatën familjare dhe dokumentin e IBAN-it të llogarisë bankare në format PDF.
Për rastet e zbritjes së shpenzimeve arsimore deri në 120 mijë lekë, duhet të ngarkohen edhe faturat e fiskalizuara të shpenzimeve të arsimit.
Ndërsa individët pa fëmijë që rezultojnë me tatim të mbipaguar duhet të dorëzojnë vetëm kërkesën dhe dokumentin e IBAN-it.
Shqyrtimi i kërkesës deri në 2 muaj
Sipas Tatimeve, afati i shqyrtimit të kërkesës për kompensim është deri në dy muaj nga momenti i aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë.
Administrata tatimore ka theksuar se deklarimi i saktë i llogarisë bankare është i domosdoshëm për të shmangur vonesa në procesin e rimbursimit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)