Autostrada Tiranë-Durrës, 13.7 mln euro të tjera për aksin nga Dogana te nënkalimi i Limuthit
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tender me vlerë 13.7 milionë euro për përmirësimin estetik dhe gjelbërimin e segmentit nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit në autostradën Tiranë-Durrës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë prokurimi për autostradën Tiranë-Durrës, këtë herë të fokusuar te përmirësimi estetik i aksit nga Dogana deri te nënkalimi i Limuthit.
Ndërhyrja ishte paralajmëruar edhe më herët gjatë një inspektimi në terren ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama, ku u theksua se projekti do të përfshinte gjelbërimin dhe transformimin vizual të autostradës, pjesa e parë e së cilës është hapur tashmë me katër korsi qarkullimi.
Kontrata ka si objekt “Plotësim i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, ndërsa fondi limit është 1.31 miliardë lekë, ose rreth 13.7 milionë euro.
Çfarë parashikon projekti
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërhyrja do të përfshijë një paketë të gjerë punimesh për gjelbërimin dhe sistemimin estetik të autostradës.
Projekti parashikon punime me dhe vegjetal, mbjellje bari, shkurre dekorative dhe pemë dekorative, si edhe ndërtimin e një impianti automatik ujitjeje për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara.
“Sipërfaqja totale e parashikuar për zbatimin e projektit të gjelbërimit është rreth 65,000 m², që përfshin mbushje me dhe vegjetal. Trafikndarësja ka një gjatësi prej 7,050 metra linearë dhe një gjerësi prej 1.8 metrash, ku parashikohet mbjellje me shkurre dekorative”, thuhet në dokumentet e procedurës.
Pjesët anësore të autostradës, nga barrierat deri te kanalet kulluese në të dy drejtimet e rrugës Tiranë-Durrës, do të sistemohen gjithashtu me pemë dhe shkurre dekorative.
Sipas projektit, këto zona kanë një gjatësi prej rreth 6 mijë metrash linearë dhe gjerësi që varion nga 1.2 deri në 3.8 metra.
Një tjetër pjesë e projektit përfshin mbi 31 mijë metra katrorë sipërfaqe të dedikuar për mbjellje bari.
Sistem inteligjent ujitjeje dhe monitorimi
Dokumentet teknike parashikojnë edhe ndërtimin e një sistemi automatik ujitjeje për të gjithë sipërfaqen e gjelbërimit, i cili do të monitorohet dhe kontrollohet në distancë përmes një sistemi të automatizuar.
Ndërhyrja konsiderohet pjesë e projektit më të gjerë për rehabilitimin dhe modernizimin e autostradës Tiranë-Durrës, një nga akset rrugore më të ngarkuara në vend.