IKMT: Dy objekte në projektin e Durrës Marina kanë pësuar ulje, masat që duhet të merren
IKMT ka konstatuar ulje të strukturës në dy objekte të projektit “Durrës Marina”, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme teknike për garantimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë.
Dy objekte të projektit “Durrës Marina” kanë pësuar ulje të strukturës deri në 28 centimetra, sipas verifikimeve të kryera nga institucionet shtetërore pas raportimeve publike mbi sigurinë dhe stabilitetin e kompleksit.
Në një deklaratë zyrtare, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) bëri të ditur se inspektimi u zhvillua pas raportimeve në media lidhur me problematika të qëndrueshmërisë së dy objekteve të projektit zhvillimor në zonën e Portit të Durrësit.
Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, “Objekti 02” ka pësuar ulje prej 28 centimetrash, ndërsa “Objekti 04” ka pësuar ulje prej 18 centimetrash.
Të dy godinat ndodhen në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit dhe aktualisht janë në fazën e realizimit të sistemimeve të jashtme.
Kërkohen ndërhyrje të menjëhershme teknike
IKMT njoftoi se i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese me kërkesë për marrjen e masave të menjëhershme teknike për përforcimin e strukturave.
“Është kërkuar realizimi i projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Në inspektim morën pjesë përfaqësues të IKMT-së, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Durrës dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.
Sipas autoriteteve, projektet e përforcimit duhet të marrin më parë miratimin e institucioneve përgjegjëse për respektimin e kushteve teknike të ndërtimit përpara nisjes së punimeve në terren.
Një nga projektet strategjike më të mëdha në vend
“Durrës Marina” konsiderohet një nga projektet më të mëdha strategjike të zhvillimit në Shqipëri dhe po ndërtohet në zonën e Portit të Durrësit, i cili parashikohet të zhvendoset në Porto Romano.
Projekti zhvillohet nga kompania Eagle Hills në partneritet me kompaninë publike Albanian Seaports Development Company dhe parashikon ndërtimin e një marine moderne jahtesh, rezidencash dhe hapësirash shërbimi në territorin e ish-portit industrial.