Secondary Adv

Shoqatat e transportit kërkojnë zgjatjen e kompensimit të naftës edhe për 3 muaj

Operatorët e transportit publik kanë kërkuar zyrtarisht nga qeveria zgjatjen edhe me tre muaj të skemës së kompensimit të naftës, duke argumentuar se çmimet e larta të karburanteve po rëndojnë ndjeshëm kostot e sektorit.

Kërkohet shtyrja e skemës deri në shtator

Nga fillimi i konfliktit në Iran, çmimet e karburanteve në vend kanë mbetur në nivele të larta për gati tre muaj, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e operatorëve të transportit publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas. Përmes një letre drejtuar qeverisë, Ministrisë së Pushtetit Vendor, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqata e Transportit Publik Qytetas ka kërkuar që kompensimi i naftës të vijojë edhe për periudhën korrik–shtator 2026.

 

Në mbledhjen e fundit, qeveria kishte miratuar kompensimin në masën 50 lekë për litër karburant për periudhën mars–maj 2026. Sipas operatorëve, vazhdimi i çmimeve të larta të naftës ka sjellë rritje të fortë të kostove operative, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe garantimin normal të shërbimit për qytetarët.

 

Operatorët paralajmërojnë vështirësi financiare

Në letrën drejtuar institucioneve, shoqatat theksojnë se kompensimi është i domosdoshëm për të shmangur reduktimin e flotës së autobusëve dhe uljen e frekuencave të shërbimit.

 

“Në kushtet kur karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit të transportit publik, vazhdimësia e çmimeve të larta ka sjellë rëndim të ndjeshëm të barrës ekonomike për subjektet transportuese. Kërkojmë zgjatjen e afatit të kompensimit financiar në masën 50 lekë/litër edhe për periudhën korrik–shtator 2026”, thuhet në kërkesën e operatorëve.

 

Sipas tyre, vijimi i kësaj mase mbështetëse do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit financiar të sektorit, mbrojtjen e interesit qytetar dhe përballueshmërinë e tarifave të transportit publik.

 

Operatorët kishin paralajmëruar protesta

Përpara miratimit të kompensimit aktual, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kishin dërguar disa kërkesa pranë institucioneve shtetërore për mbështetje financiare.

 

Më 1 prill, operatorët zhvilluan një takim edhe me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ku kërkuan zbatimin e një skeme të ngjashme me atë të vitit 2022, kur sektori u kompensua për gjashtë muaj me 100 lekë për litër naftë. Për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre, operatorët reduktuan për dy ditë lëvizjen e autobusëve në Tiranë dhe rrethe, duke ulur flotën në funksion deri në 60%.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat