Nga pronat te shitjet online dhe transfertat e dyshimta, AIF zbardh skemat e pastrimit të parave
Agjencia e Inteligjencës Financiare ka evidentuar gjatë vitit 2025 disa nga format më të përdorura për pastrimin e parave në Shqipëri, ku dominuan investimet në pasuri të paluajtshme, transfertat e pajustifikuara dhe përdorimi i personave të tretë për qarkullimin e fondeve.
Sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave
Sipas raportit vjetor të AIF, sektori i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, transfertat financiare dhe aktivitetet tregtare vijojnë të konsiderohen ndër fushat me riskun më të lartë për pastrimin e parave.
Institucioni evidenton se në shumë raste janë konstatuar transaksione pa logjikë ekonomike, rritje të dyshimta kapitali në kompani, shitblerje kuotash dhe aksionesh me vlera jo reale, si dhe qarkullim fondesh përmes zinxhirëve të kompanive apo personave të lidhur. Sipas AIF, këto mekanizma përdoren shpesh për të fshehur origjinën reale të fondeve ose destinacionin përfundimtar të tyre.
Skema me karta parapaguese dhe tregti online
Në një nga rastet e detajuara në raport, AIF evidenton përdorimin e llogarive personale për zhvillimin e një aktiviteti tregtar të paregjistruar, të shoqëruar me depozitime të shumta cash. Sipas raportit, një shtetas shqiptar kishte hapur llogari bankare ku gjatë viteve 2024–2025 janë depozituar rreth 300 mijë euro, si nga vetë ai ashtu edhe nga persona të tjerë të afërm familjarë.
Pas verifikimeve në sistemin bankar, rezultoi se në total në llogaritë e personave të përfshirë kishin qarkulluar rreth 1.9 milionë euro. AIF sqaron se shtetasi në fjalë dhe nëntë persona të tjerë ishin pajisur me karta parapaguese, të cilat përdoreshin për blerjen e produkteve të markave të luksit në shtete të ndryshme.
Fondet depozitoheshin në llogaritë personale dhe më pas transferoheshin në karta Mastercard, ndërsa pjesa më e madhe e tyre përdorej për blerje online.
Dyshime për evazion dhe aktivitet të padeklaruar
Raporti evidenton gjithashtu se llogaritë bankare janë kredituar me rreth 350 mijë euro nga rimbursimi i TVSH-së përmes kompanive “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”. Nga verifikimet në QKB dhe sistemin tatimor rezultoi se shtetasi kishte regjistruar në vitin 2024 një subjekt me aktivitet “shitje veshjesh online”, por kompania kishte deklaruar zero të ardhura dhe ishte çregjistruar në fillim të vitit 2025.
AIF thekson se personat e përfshirë nuk kishin të ardhura të deklaruara që të justifikonin depozitimet dhe qarkullimin e shumave të mëdha. Sipas analizës së institucionit, dyshimet lidhen me zhvillimin e një aktiviteti tregtar online të paregjistruar, përfitim të pajustifikuar të rimbursimit të TVSH-së dhe mungesë dokumentacioni për origjinën e fondeve. Rasti është referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve ligjzbatuese.