Kompensimi i naftës për transportin publik, aplikimet në Tatime, afat deri më 1 gusht
Operatorët e transportit publik do të mund të aplikojnë pranë administratës tatimore për përfitimin e kompensimit të naftës, ndërsa afati për dorëzimin e kërkesave është deri më 1 gusht 2026.
Hapen aplikimet për kompensimin e naftës
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave për procedurat që do të ndjekin operatorët e transportit publik për përfitimin e kompensimit të naftës pritet të botohet në Fletoren Zyrtare.
Me hyrjen në fuqi të vendimit, operatorëve u hapet rruga për nisjen e aplikimeve pranë administratës tatimore. Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës do të dorëzohen çdo muaj pranë drejtorive tatimore ku subjektet janë të regjistruara. Afati i fundit për pranimin e kërkesave është deri më 1 gusht 2026.
Kompensimi për muajt mars–maj
Sipas vendimit, kompensimi do të llogaritet mbi bazën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill dhe maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilin operator.
Efektet financiare të kësaj skeme llogariten në rreth 250 milionë lekë, ose afërsisht 2.6 milionë euro. Nga kjo shumë, 120 milionë lekë do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa 130 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
Dokumentet që duhet të dorëzojnë operatorët
Sipas procedurës së përcaktuar, subjektet duhet të paraqesin pranë administratës tatimore kërkesën sipas formularit zyrtar, kopjen e licencës së vlefshme për transportin qytetës, rrethqytetës ose ndërqytetës, si dhe të dhënat identifikuese të subjektit me NIUS. Operatorët duhet të dorëzojnë gjithashtu emrin e bankës dhe IBAN-in e llogarisë bankare në lekë ku do të transferohet kompensimi.
Për shoqëritë që ushtrojnë vetëm aktivitet transporti kërkohet paraqitja e kopjeve të faturave të furnizimit me karburant për muajt mars, prill dhe maj të viteve 2025 dhe 2026. Ndërsa subjektet që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera ekonomike duhet të paraqesin, përveç faturave të karburantit, edhe vetëdeklarimin e sasisë së përdorur për transportin publik, si dhe kopje të fletëdaljeve të karburantit sipas targave të mjeteve.
Skema për përballimin e kostove të larta të naftës
Skema e kompensimit u miratua nga qeveria për të ndihmuar operatorët e transportit publik në përballimin e kostove të larta të karburantit, pas rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.