Secondary Adv

Investimet Publike me fondet e huaja: Rënia më e fortë që nga viti 2015

Investimet publike të financuara nga fondet e huaja ranë me 31 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, duke shënuar nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë.

Investimet publike nga fondet e huaja kanë shënuar një rënie të fortë në tremujorin e parë të vitit 2026, si krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ashtu edhe me planin e miratuar të qeverisë.

 

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se vlera faktike e investimeve me financim të huaj për periudhën janar-mars 2026 arriti në vetëm 2.7 miliardë lekë, me një rënie prej 31 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, kur investimet ishin 4.027 miliardë lekë.

 

Në raport me planin e periudhës, investimet rezultuan rreth 38 për qind më të ulëta.

Kjo performancë sugjeron vështirësi në thithjen e fondeve të huaja të miratuara dhe vonesa në zbatimin e projekteve publike.

 

Rekord për kreditë e patërhequra

Tendenca u reflektua edhe në treguesit e borxhit publik, ku kreditë e nënshkruara por ende të patërhequra arritën nivel rekord prej rreth 2 miliardë eurosh në tremujorin e parë të vitit 2026.

 

Nga kjo shumë, rreth 500 milionë euro lidhen me hua dhe grante nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Shqipërinë.

 

Sipas të dhënave historike, tremujorët e parë të viteve 2024 dhe 2026 rezultojnë me nivelet më të ulëta të investimeve publike me financim të huaj që nga viti 2015.

 

Rrezikohet disbursimi i fondeve të BE-së

Për të siguruar disbursimin e plotë të fondeve gjatë vitit 2026 dhe për të shmangur humbjen e rreth 68 milionë eurove nga Plani i Rritjes së BE-së, Shqipëria duhet të përmbushë një sërë reformash të përfshira në Agjendën Kombëtare të Reformave.

 

Sundimi i ligjit mbetet një nga kushtet kryesore, ku kërkohet progres i matshëm në reformën në drejtësi, ulja e çështjeve të prapambetura në gjykata dhe forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Bashkimi Europian kërkon gjithashtu rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe dënime të formës së prerë për zyrtarët e lartë.

 

Në fokus mbetet edhe përmirësimi i klimës së biznesit përmes digjitalizimit të lejeve dhe licencave, rritjes së transparencës në prokurimet publike dhe uljes së informalitetit në ekonomi.

Një tjetër kërkesë lidhet me lidhjen më të fortë të arsimit me tregun e punës dhe forcimin e skemave të mbrojtjes sociale.

 

Sipas mekanizmit të monitorimit të Komisionit Europian, çdo vonesë në përmbushjen e objektivave të reformave mund të çojë në bllokimin e kësteve financiare për Shqipërinë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat