Secondary Adv

Kosova dhe Shqipëria dakordohen për lehtësimin e tregtisë ushqimore sipas praktikave të BE

Autoritetet e ushqimit të Kosovës dhe Shqipërisë janë dakorduar për reduktimin e barrierave administrative dhe harmonizimin e procedurave tregtare sipas praktikave të Bashkimit Europian.

Drejtuesit e autoriteteve të ushqimit të Kosovës dhe Shqipërisë kanë rënë dakord për lehtësimin e tregtimit të produkteve ushqimore mes dy vendeve, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Europian.

 

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), drejtori ekzekutiv Bekim Hoxha zhvilloi një takim me drejtoreshën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti, ku fokusi kryesor ishte reduktimi i barrierave administrative dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore.

 

Palët diskutuan për harmonizimin e certifikatave sipas modeleve më të fundit të Bashkimit Europian, koordinimin për trajtimin e njoftimeve të sigurisë ushqimore përmes sistemit RASFF, si dhe njoftimin reciprok paraprak për produktet që ri-eksportohen mes dy vendeve.

 

Digjitalizimi dhe bashkëpunimi laboratorik

Në takim u diskutua gjithashtu bashkëpunimi në ngritjen e kapaciteteve laboratorike dhe njohjen reciproke të rezultateve të analizave.

Drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha, deklaroi se institucioni është në rrugë të mirë drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe kontrolleve.

 

“AUV është në rrugë të mirë të digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe kontrolleve. Deri tani kemi arritur në masën rreth 90 për qind. Kjo përfshin reforma në shumë drejtime, gjithmonë duke pasur si model autoritetet dhe vendet anëtare të BE-së”, u shpreh Hoxha.

Sipas AUV-së, diskutimet teknike u fokusuan edhe te mënyra e re e plotësimit të certifikatave nga inspektorët në terren, ku do të jetë detyrim plotësimi i çdo rubrike sipas standardeve europiane.

 

Mbështetje reciproke për integrimin europian

Palët ranë dakord që Kosova dhe Shqipëria të mbështesin njëra-tjetrën në procesin e përmbushjes së kritereve të Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore.

 

Sipas njoftimit, Kosova do të ndajë me Shqipërinë praktikat dhe përvojat në fushat ku aktualisht ka nivel më të avancuar të zbatimit të standardeve të BE-së, ndërsa Shqipëria pritet të shërbejë si vend referencë për Kosovën në fazat e ardhshme të procesit të integrimit europian.

 

Autoritetet vlerësuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë lehtësira për bizneset që tregtojnë produkte ushqimore mes dy vendeve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik për konsumatorët në të dy anët e kufirit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat