Secondary Adv

Projektligji, të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri 7 vite pasi të antarësohemi

Një projektligj i ri i Ministrisë së Bujqësisë hap rrugën që shtetasit dhe kompanitë e huaja të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, por vetëm shtatë vite pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, i cili parashikon për herë të parë mundësinë që të huajt të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri.

 

Sipas draftit, personat fizikë dhe juridikë të huaj do të mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore private ose mbi tokën bujqësore shtetërore të disponueshme, por vetëm pas një periudhe tranzitore prej shtatë vitesh nga anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Projektligji vendos kufizime të qarta për sipërfaqen që mund të blihet. Sipas draftit, të huajt mund të blejnë deri në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Kriteret për blerjen e tokës

Dokumenti përcakton se të huajt do të kenë të drejtë të blejnë tokë bujqësore vetëm për investime në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

 

Për të përfituar të drejtën e pronësisë, personat fizikë dhe juridikë të huaj duhet të jenë rezidentë të përhershëm në Shqipëri për të paktën pesë vite. Gjithashtu, ata duhet të kenë ushtruar aktivitet bujqësor ose agrobiznes në Shqipëri për minimumi tre vite dhe të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë.

 

Projektligji kërkon që aktiviteti të ushtrohet përmes një shoqërie tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.

 

Zonat ku ndalohet shitja

Drafti ndalon tjetërsimin e tokës bujqësore në favor të të huajve në disa raste specifike. Kufizimet përfshijnë tokat që janë pjesë e proceseve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, zonat e shpallura për investime strategjike, si dhe territoret me rëndësi ushtarake ose për sigurinë kombëtare.

 

Ndalimi përfshin gjithashtu tokat që ndodhen në zona me vlera muzeore, arkeologjike dhe historike, si edhe në parqe kombëtare, rezervate natyrore dhe zona të mbrojtura të florës dhe faunës.

 

Detyrimet pas marrjes së pronësisë

Sipas projektligjit, subjektet e huaja që fitojnë pronësi mbi tokë bujqësore do të jenë të detyruara ta përdorin atë vetëm për aktivitete bujqësore dhe blegtorale.

 

Drafti ndalon ndryshimin e kategorisë ose destinacionit të përdorimit të tokës dhe kërkon ushtrimin real të aktivitetit bujqësor ose të agrobiznesit në pronën e fituar.

 

Në rast të mosrespektimit të këtyre detyrimeve, autoritetet kompetente do të kenë të drejtë të vendosin masa administrative, përfshirë revokimin e së drejtës së pronësisë.

 

Procedurat, afatet dhe dokumentacioni për trajtimin e kërkesave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat