Secondary Adv

Zbardhet udhëzimi i Paqes Fiskale, falje borxhesh deri në 2014, të gjitha procedurat

Ministria e Financave ka publikuar udhëzimin për zbatimin e ligjit të “Paqes Fiskale”, duke përcaktuar procedurat për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore e doganore për bizneset dhe individët.

Udhëzimi i firmosur nga ministri i Financave dhe i botuar në Fletoren Zyrtare sqaron kategoritë që përfitojnë, kushtet e pagesave, afatet dhe rastet e përjashtimit nga skema e shumëdebatuar e “Paqes Fiskale”.

 

Sipas dokumentit, përfitues do të jenë tatimpaguesit aktivë, pasivë dhe të çregjistruar që kanë detyrime ndaj administratës tatimore, doganore apo pushtetit vendor.

 

Një nga elementët kryesorë të skemës është fshirja automatike e detyrimeve të krijuara deri në fund të vitit 2014. Për këtë kategori do të falen detyrimet tatimore të papaguara, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si edhe të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e akumuluara ndër vite.

 

Lehtësitë për detyrimet 2015-2019

Për detyrimet e krijuara gjatë viteve 2015-2019, ligji parashikon dy alternativa lehtësuese për bizneset dhe individët.

Varianti i parë parashikon që subjektet që paguajnë 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 do të përfitojnë faljen e 50% të mbetur, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

 

Alternativa e dytë lejon pagesën e 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa 25% e mbetur do të shuhet bashkë me të gjitha penalitetet.

Për detyrimet e viteve 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit, por vetëm fshirje e gjobave dhe interesave me kusht që të paguhet e gjithë shuma kryesore brenda fundit të vitit 2026.

 

E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ku do të falen vetëm penalitetet nëse paguhet 100% e kontributeve.

 

Fshirje automatike për subjektet e çregjistruara

Udhëzimi parashikon gjithashtu fshirjen automatike të detyrimeve për personat fizikë dhe juridikë të çregjistruar deri më 31 dhjetor 2024, me përjashtim të sigurimeve shoqërore.

 

Po ashtu, do të falen automatikisht gjobat për mosdeklarime në afat, vonesa në dorëzimin e pasqyrave financiare dhe penalitetet e gjeneruara automatikisht nga sistemi tatimor.

 

Një tjetër element i rëndësishëm është kompensimi automatik i detyrimeve me kreditë e TVSH-së apo tepricat kreditore të tatimeve të tjera. Administrata tatimore do t’i përdorë automatikisht këto kredi për të ulur borxhet e papaguara të subjekteve.

 

Përjashtimet dhe kushtet

Nga skema e “Paqes Fiskale” përjashtohen subjektet dhe individët që janë dënuar ose janë nën hetim për vepra penale në fushën tatimore apo doganore.

Nëse gjatë zbatimit të ligjit nis një hetim penal ndaj subjektit, falja do të anulohet dhe detyrimet do të rikthehen.

 

Edhe subjektet që kanë çështje në proces gjyqësor ose administrativ mund të përfitojnë nga skema, por vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose procesi gjyqësor. Afati maksimal për dorëzimin e aktit të heqjes dorë është 30 nëntor 2026.

 

Publikimi i përfituesve më të mëdhenj

Një nga pikat që pritet të ngjallë debat është publikimi i listës së 3 mijë tatimpaguesve që përfitojnë më shumë nga falja fiskale.

Sipas udhëzimit, deri më 31 janar 2027 administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të publikojnë në faqet zyrtare subjektet që kanë përfituar fshirjen apo shuarjen më të madhe të detyrimeve, për të gjitha rastet ku vlera e falur kalon 5 milionë lekë.

 

Zbatimi i plotë i ligjit do të vijojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa administrata tatimore, doganat dhe pushteti vendor do të jenë përgjegjës për fshirjen e detyrimeve nga regjistrat dhe njoftimin elektronik të subjekteve për përfitimet nga skema.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat