Hyn në fuqi Paqja Fiskale, bizneset me mbi 14 mln lekë xhiro mund të aplikojnë
Qeveria ka publikuar procedurat për zbatimin e “Paqes Fiskale”, skema që u ofron bizneseve marrëveshje me administratën tatimore në këmbim të rritjes së deklaruar të fitimit dhe respektimit të kushteve të përcaktuara.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton kriteret, mënyrën e aplikimit dhe përfitimet që marrin subjektet që zgjedhin të hyjnë në marrëveshjen e posaçme fiskale me administratën tatimore.
Sipas dokumentit, bizneset që duan të përfitojnë duhet të kenë dorëzuar deklaratat vjetore të tatimit mbi fitimin ose tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, të kenë realizuar mbi 14 milionë lekë të ardhura bruto gjatë vitit paraardhës dhe të mos kenë përfituar nga norma të reduktuara apo përjashtime tatimore.
Aplikimi do të kryhet elektronikisht përmes sistemit e-Filing dhe duhet të dorëzohet deri më 31 mars të vitit përkatës.
Garanci kundër kontrolleve tatimore
Një nga elementët kryesorë të skemës është garancia që administrata tatimore u jep subjekteve që hyjnë në marrëveshje.
Gjatë periudhës së vlefshmërisë së saj, bizneset nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve tatimore për tatimin mbi fitimin apo tatimin mbi të ardhurat nga biznesi, përveç rasteve kur ka indicie për mashtrim me TVSH ose fshehje të ardhurash.
Në këmbim, subjektet duhet të pranojnë një rritje automatike të fitimit të tatueshëm me të paktën 18% krahasuar me vitin paraardhës.
Sistemi elektronik do të gjenerojë automatikisht marrëveshjen, duke përllogaritur fitimin e ri të tatueshëm, normën e aplikueshme dhe këstet paraprake që biznesi duhet të paguajë gjatë vitit.
Rideklarim pa penalitete
Udhëzimi u jep bizneseve edhe mundësinë për të rideklaruar pasqyrat financiare deri në tre vitet e fundit.
Sipas skemës, subjektet mund të rideklarojnë elemente të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve pa penalitete, interesa apo gjoba administrative.
Megjithatë, kjo e drejtë mund të përdoret vetëm një herë dhe deklarimet e bëra nuk mund të korrigjohen më pas.
Kur prishet marrëveshja
Dokumenti parashikon edhe raste të qarta kur marrëveshja e “Paqes Fiskale” humbet vlefshmërinë.
Marrëveshja prishet nëse biznesi nuk realizon rritjen minimale prej 18% të fitimit, ndryshon aktivitetin ekonomik, nuk paguan këstet në afat, kryen shkelje të përsëritura tatimore ose rezulton me deklarime të rreme.
Gjithashtu, nëse fitimi i deklaruar rritet me mbi 50% krahasuar me vitin paraardhës, atëherë mbi të gjithë fitimin do të aplikohet norma standarde prej 15%.
Administrata Tatimore do të ketë të drejtë të rivlerësojë detyrimet dhe të aplikojë interesa e penalitete nëse rezulton se marrëveshja është lidhur mbi bazën e dokumenteve të rreme ose nëse ndaj subjektit apo pronarëve nis hetim penal për vepra në fushën tatimore apo pastrimit të parave.
Formalizim dhe rritje të ardhurash
Skema e “Paqes Fiskale” konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme dhe më të debatuara fiskale të vitit 2026.
Qeveria synon përmes saj të formalizojë deklarimet e bizneseve dhe të rrisë të ardhurat buxhetore, ndërsa në këmbim subjektet përfitojnë siguri fiskale dhe shmangie të kontrolleve tatimore gjatë periudhës së marrëveshjes.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)