Secondary Adv

Rënia e importeve të mallrave të përpunimit aktiv tregon vazhdimësi të krizës

Rënia e importeve të lëndëve të para për përpunim aktiv gjatë muajve të parë të vitit 2026 po sinjalizon vazhdimësinë e krizës në industrinë fason, një nga sektorët më të mëdhenj eksportues dhe punëdhënës në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlera e lëndëve të para të importuara për t’u përpunuar dhe më pas ri-eksportuar zbriti në rreth 29.5 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2026.

 

Kjo përfaqëson një rënie prej 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe rreth 33% më pak krahasuar me vitin 2023, kur sektori regjistroi kulmin historik me mbi 43.7 miliardë lekë importe lëndësh të para.

 

Trendit negativ, i cili nisi të bëhej i dukshëm që në vitin 2024, po i shtohet humbja graduale e porosive nga partnerët e huaj.

 

Marsi shënon një tjetër rënie të porosive

Situata paraqitet edhe më kritike në analizën mujore të aktivitetit.

Muaji mars, që tradicionalisht konsiderohej periudha me ngarkesën më të lartë të prodhimit për industrinë fason, këtë vit regjistroi importe prej vetëm 10.8 miliardë lekësh, me rënie 2.3% krahasuar me marsin e vitit 2025.

 

Kjo tregon se rënia e porosive që nisi që në janar nuk arriti të ndalet as gjatë muajve të pranverës.

 

Forcimi i lekut godet fitimet e fabrikave

Sipas përfaqësuesve të industrisë, një nga goditjet kryesore për sektorin mbetet forcimi i monedhës vendase ndaj euros.

Fabrikat fason punojnë kryesisht me kontrata në euro, ndërsa kostot operative si pagat, energjia elektrike dhe taksat paguhen në lekë.

 

Zhvlerësimi i euros ka bërë që të njëjtat volume pune të gjenerojnë më pak të ardhura në raport me kostot reale të bizneseve, duke ulur ndjeshëm marzhet e fitimit.

Sipas operatorëve të tregut, shumë ndërmarrje po operojnë në kufijtë e mbijetesës, ndërsa një pjesë tjetër rrezikon falimentimin.

 

Shqipëria humbet avantazhin e kostos së ulët

Përveç kursit të këmbimit, industria po përballet edhe me rritjen e kostove të brendshme, ku ndikimin më të madh e ka shtimi i pagës minimale dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Sipas bizneseve të sektorit, Shqipëria po humbet gradualisht avantazhin tradicional të kostos së lirë të punës.

 

Si rezultat, markat ndërkombëtare po zhvendosin një pjesë të porosive drejt vendeve të Afrikës së Veriut dhe Azisë Qendrore, ku kostot operative mbeten më konkurruese.

 

Viti 2023 përfaqësoi kulmin e aktivitetit pas pandemisë, por në dy vitet e fundit sektori ka hyrë në një fazë tkurrjeje të vazhdueshme.

 

Ekspertët e industrisë vlerësojnë se modeli aktual i fabrikave fason po hyn në një cikël të ri transformimi, ku vetëm kompanitë që arrijnë të kalojnë drejt prodhimit të plotë, automatizimit dhe produkteve me vlerë më të lartë të shtuar do të kenë mundësi të mbijetojnë në kushtet e reja të tregut.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat