Secondary Adv

Udhëzimi, si do fshihen 1 mld euro detyrime të papaguara deri në 2014

Nisi zbatimi i ligjit që do të fshijë rreth 1 mld euro detyrime të papaguara në tatime, dogana dhe pushtetin vendor deri më 31 dhjetor 2014.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi “Për zbatimin e ligjit nr. 86/2025, “për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme  në doganë”.

 

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji parashikon  edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

 

Administrata tatimore ka njoftuar që nga data 10 qershor mund të nisin pagesat për fshirjen e pjesshme të detyrimeve.

 

Konkretisht, për detyrimet që i përkasin periudhës nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet. Nëse do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

 

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026. E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.

 

Ligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026.

 

Nga bizneset në tatime dhe dogana deri në vitin 2014 rezultojnë se janë 100 mln lekë apo rreth 1 mld euro detyrime të papaguara. Shifra me detyrimin e papaguar nga bizneset deri në 2014 që parashikohet të fshihet plotësisht u bë publike nga ministri i Financave Petrit Malaj në mbledhjen e mëparshme të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore. /Monitor


Më të lexuarat