Investime për rrjetin e ujërave të ndotur dhe impiant trajtimi, hapet tenderi 1 mld lekë për Dibrën
Me një fond limit prej rreth 1 mld lekë, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër ka hapur tenderin për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe impiantit të pastrimit për qytetin e Peshkopisë.
Projekti synon ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura për qytetin e Peshkopisë, si edhe ngritjen e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën tenderuese, aktualisht Peshkopia ka një sistem kanalizimi që mbulon vetëm disa zona të urbanizuara, ndërsa pjesa tjetër e qytetit dhe periferive nuk ka mbulim të plotë. Më specifikisht, shpjegohet se rrjeti ekzistues paraqitet në gjendje të amortizuar, me rrjedhje të ujërave të zeza dhe mungesë lidhjesh të sigurta.
Kjo ndërhyrje merr rëndësi të veçantë, duke patur në konsideratë të dhënat e Entit Rregullator të Ujit që tregojnë se mbulimi me shërbimin e kanalizimeve në shkallë vendi mbetet ende i kufizuar. Në vitin 2024, vetëm 56.2% e popullsisë kishte akses në rrjetin e kanalizimeve, nga 54.8% një vit më parë, çka tregon një përmirësim të lehtë, por ende larg mbulimit të plotë. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e territorit vazhdon të mos ketë infrastrukturë të plotë për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Po kështu, edhe numri i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura është tejet i kufizuar dhe larg nevojave që ka vendi për këto infrastruktura. /Scan